Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se do të ndahen bursa për studentët kosovarë të doktoraturës në 500 universitetet më të mira në botë.
Sipas njoftimit të MAShTI-t, bursa do të ketë vlerë vjetore prej 7500 eurosh.
Konkursi do të jetë publik dhe do të vlejë për të gjithë studentët e doktoraturës, shtetas të Republikës së Kosovës.
Ky është njoftimi i plotë i MAShTI:
Departamenti i Arsimit të Lartë, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Këshilli Shkencor i MASHTI në vazhdën e aktiviteteve të tyre, bazuar në dispozitat e Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore nr. 04/L-135, bazuar në planin e veprimit të Programit Kombëtar të Shkencës në lidhje me përkrahjen e studimeve të doktoraturës në 500 universitetet më të mira në botë, shpall:
KONKURS
Për ndarjen e granteve ( bursave) të doktoraturës
Me të cilin ftohen studentët kosovarë që ndjekin studimet e doktoraturës në 500 universitetet më të mira në botë që të konkurrojnë për përfitimin e një granti të doktoraturës në vlerë vjetore prej 7500 eurosh. Konkursi është publik dhe vlen për studentët shtetas të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh promovimin e barazisë gjinore, etnike, fetare dhe racore. Do të përkrahen studentët që nuk marrim bursë apo ndihmë financiare nga institucionet vendore apo ndërkombëtare, apo që në marrëveshje me institucionin ku punojnë (universitetin apo institutin) kanë marrëveshje për mungesë me pagesë për kohën e kryerjes së studimeve të doktoratës.
Merren parasysh studentët që kanë përfituar ndonjë bursë apo lloj tjetër të financimit që mund të jetë i pjesshëm (që nuk i plotëson nevojat financiare për studime njëvjeçare sipas standardeve të vendeve ku është selia e universitetit). Studentët me bursa të plota nuk përkrahen. Për të
konkurruar në konkurs, studentët e interesuar duhet t’i plotësojnë edhe këto kushte të veçanta:
– CV (Biografia)
– Studenti të jetë shtetas i Republikës së Kosovës – dëshmi: letërnjoftimi ose pasaporta e Republikës së Kosovës.
– Vërtetimi nga institucioni kosovar ku studenti është i punësuar, nëse studenti është lëshuar me pagesë për kryerjen e studimeve ose jo.
– Vërtetimi nga universiteti ku studenti i vijon studimet apo është regjistruar (studentët që kanë fituar të drejtën për studime, por ende nuk i kanë regjistruar apo nuk i vijojnë ato, nuk përkrahen) në studimet e doktoraturës.
– Vërtetimi nga universiteti mikpritës se kandidati nuk ka bursë nga ky universitet apo nuk merr pagesë tjetër si pjesë e ndonjë projekti hulumtues në atë universitet dhe vërtetimin se kandidati nuk pranon ndonjë mbështetje financiare të natyrës tjetër nga ndonjë institucion relevant ndërkombëtar apo vendor (studentët me bursa jo të plota apo me mbështetje jo të plotë financiare mund të mbështeten, në raste të veçanta).
– Studentët që nuk janë fillestarë duhet të sjellin dëshmi lidhur me provimet e dhëna apo dokumente origjinale që dëshmojnë arritjen e kushteve specifike që kërkon universiteti i veçantë për kryerjen me suksese të pjesës së kaluar të studimeve (provimet, pjesëmarrja në projekte hulumtuese shkencore, pjesëmarrja në konferenca, botime etj. Kjo vërtetohet me një dokument origjinal të nënshkruar dhe të vulosur nga autoritetet e universitetit).
– Deklaratën e noterizuar se studenti pas kryerjes së studimeve do të kthehet në Kosovë si dhe deklaratën nën betim, se studenti nuk merr bursë apo ndonjë ndihmë financiare tjetër.
– Përparësi kanë studentët që dëshmojnë se kanë lejeqëndrim në vendin e studimeve si dhe studentët që studiojnë në universitetet e ranguara më së larti në rangimet ndërkombëtare të universiteteve dhe fushat e studimeve të tyre bën pjesë në 5 plus 1, prioritetet kombëtare në bazë të Planit Kombëtar të Shkencës.
– Nuk mbështeten studentët që tashmë kanë përfunduar ciklin e ligjëratave apo që janë para mbrojtjes së disertacionit.
– Dokumentet relevante duhet të jenë të përkthyera nga një përkthyes zyrtar.
– Do të merret parasysh rangimi i 500 universiteteve më të mira në botë bazuar në Listën e Shanghait.
Konkursi mbetet i hapur nga data 11.10.2021 deri më 22.10.2021, nga dita e shpalljes në uebfaqen e MASHTI.
Dokumentacioni i kompletuar dorëzohet në arkivin e MASHTI
Informatat shtesë mund të merren tek zyrtari kontaktues në MASHTI znj. Yllza Memeti, në zyrën 302/ b. Email: [email protected] tel për kontakt : 038 211-867.
Aplikimi duhet të dorëzohet në një zarf të mbyllur ku duhet shkruar “Aplikimi për grantet e doktoraturës” dhe në formë elektonike.
Adresa: Rr. “Agim Ramadani” p. n, 10000- Prishtinë, Kosovë.
Aplikacionet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen. /arbresh.info/
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...