MAShTI prezantoi planin për digjitalizim të shkollave dhe paralelet e ndara me pak nxënës

15:30 | 6 Dhjetor 2022
K.B

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë prezantimin dhe diskutimin e draftit të planit për furnizimin e shkollave me pajisje digjitale dhe rrjete kompjuterike në periudhën 2022/2024, si dhe draftit të politikës për adresimin e problemit të shkollave dhe paraleleve të ndara me pak nxënës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, procesi i digjitalizimit të shkollave është një nga prioritetet e Strategjisë së Kosovës për Arsim 2022/2026 dhe tashmë është bërë kostoja e këtij procesi dhe është buxhetuar shuma prej 6.5 milionë euro për vitin 2023.

Nagavci ka bërë të ditur se, krahas furnizimit me pajisje, MAShTI është duke punuar edhe në krijimin e kapaciteteve njerëzore për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve, ndërsa shtoi se, me Grantin Specifik të Arsimit për vitin 2023 parshihen 30 vende pune për specialist të IT, me synimin që deri në vitin 2025 ky numër të rritet deri në 100.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ndërkaq, tha se procesi i digjitalizimit të shkollave është një komponentë shumë e rëndësishme për sistemin arsimor. Ai bëri të ditur se, është ndarë buxheti me kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe jemi në fazën e aplikimit në IPA për të realizuar planin e digjitalizimit.

Agim Kukaj nga Ministria e Ekonomisë ka folur rreth projektit për Ekonominë Digjitale në Kosovë-projekti KODE, i cili mbështetet nga Banka Botërore dhe implementohet nga ME. Në takim të pranishëm ishin ekspertë të UNICEF-it të cilët janë të përfshirë në procesin e digjitalizimit të shkollave.

Po ashtu, u prezantua edhe drafti i planit për shkollat dhe paralelet e ndara me pak nxënës si dhe u diskutua çështja e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla, mënyra e zbatimit të udhëzuesit dhe mbështetjes së mësimdhënësve me probleme shëndetësore, nevoja e plotësimit dhe ndryshimit të disa udhëzimeve administrative, puna dhe implementimi i suksesshëm i politikave arsimore. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme