Siguria në shkollë është një element thelbësor i parandalimit të dukurive negative, si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve të shkollës. Në shumë raste Policia e Kosovës raporton për armët që gjen tek nxënësit, dhe kjo situatë po shihet alarmante edhe nga sociologët.
“Për të ardhur deri tek eliminimi i kësaj dukurie kaq te shëmtuar është e dyanshme, sa janë shkollat dhe institucionet përgjegjëse aq më shume janë familjet”, ka thënë sociologu Shaip Hasani.
Sipas Hasanit, për tu parandaluar përdorimi i armëve të ftohta nga nxënësit duhet një bashkëpunim i prindërve me institucionet.
I pyetur nga arbresh.info se si mund të “çarmatosen” nxënësit, ai tha se kjo është e pamundur sepse edhe ne vendet e rajonit e të botës ndodhin gjëra të tilla.
“Këshillat e prindërve duhet të jenë urgjente, të bëhen bashkë me shkollat dhe të i hartojnë ne mënyrë praktike dhe konkrete. Dhe në qoftë se ka nevojë me e largu nga mjedisi ndonjë nxënës problematik i kem shtëpitë korrektuese korrigjuese” ka thënë Hasani.
Gjendja delikuente e fëmijëve në shkolla është refleksion dhe pasqyrë e gjendjes shoqërore vlerëson sociologu Labinot Konushevci.
Nxënësit problematik nëpër shkolla e siguria e tyre sipas Konushevcit ndikohen nga shume faktorë si bullizimi, dhuna ne familje, gjendja emocionale e shumë gjëra të tjera.
“Temperamenti i tyre, gjendja emocionale, mungesa e empatisë, niveli i ultë i inteligjencës emocionale, imitimi shoqëror, ndikimi negativ i lojërave dhe përmbajtjeve vulgare e agresive mediale, të jetuarit në një mjedis shoqëror e familjar të dhunshëm, pasiguria, dështimi i institucioneve të sigurisë, mungesa e vetëdijes kolektive, rënia e autoritetit familje dhe prind, rënia e vlerave humane, mungesa e qasjeve edukuese dhe kulturore në shkollë, sistemi i dobët i arsimit, e shumë faktorë tjerë, janë relevant me ndikim në rritjen e rrezikshme të këtij fenomeni. Fëmijët, që mund të jenë edhe vetë të bullizuar, si reaksion bullizmi, krijon iluzionin se arma mund ta bëjë ”më të fortë”, ”më të sigurt”, ”më të guximshëm”, ”më të integruar”, ”më dominues”, në shoqëri. Ky fenomen flet për një të ardhme gjithnjë e më të pasigurt”, ka thënë Konushevci për arbresh.info.
Sipas Konushevcit, përdorimi i armëve nëpër shkolla nga këta fëmijë, i bënë të ndihen më të sigurt dhe të kenë vetëbesim.
“Vazhdimi i këtij fenomeni, këtyre fëmijëve, ju jep një lloj ”sigurie”, ”krenarie” dhe ”vetëbesimi të rrejshëm”, që në të ardhmen, në pozicione dhe raporte tjera shoqërore, do të sillen njësoj si ”kaubojë” sepse shoqërinë e shohin si terren të forcave fizike dhe jo emocionale ose mendore”, tha tutje Konushevci.
Ndër të tjera Konushevci tha se nuk ka më shpresë për tu rikthyer vetëdija edukuese tek fëmijët ku duhet shkollat të i disiplinojnë me një sistem te avancuar.
“Meqenëse nuk kemi asnjë shpresë se do të rikthehet vetëdija dhe kultura familjare si faktor edukues tek fëmijët dhe duke qenë se këta fëmijë vijnë nga familje problematike dhe neoliberale, duhet vetë shkollat publike me mbështetje të shtetit, të disiplinojë nxënësit me një sistem më të avancuar publik, me qasje, lëndë, programe e metodologji socio-kulturore, ku empatia dhe inteligjenca emocionale janë prioritet”.
Sipas tij nëse kjo dështon duhet te ndryshohet rregullorja e ndëshkimit.
“Nëse kjo dështon, siç realisht ka dështuar për shumë arsye, shkolla duhet të ndryshojë dhe avancojë rregulloret mbi ndëshkimin, kufizimin dhe kontrollimin e nxënësve. Pra, zero tolerancë, disiplinë e rreptë dhe rigoroze, ku shkolla përjetohet dhe pranohet nga nxënësit si autoritet dhe jo si mjedis ku ata mund t’i shuajnë komplekset apo t’i realizojnë dëshirat e tyre që janë natyrë e një adoleshence pa ekuilibër”, ka thënë në fund Konushevci.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë Arbërie Nagavci, është pyetur nga arbresh.info për sigurinë nëpër shkolla nëse tashmë e kanë krijuar një forum gjithëpërfshirës me përfaqësues policinë dhe institucionet relevante.
Sipas Nagavcit, në këtë forum po punohet me intensitet të shtuar që të kenë ambient më të sigurt për fëmijët, dhe qëllimi i saj është parandalimi i i çdo forme të dhunës ndaj fëmijëve.
“Tashmë është konstituuar ky grup punues, kemi përfaqësues të të gjitha palëve edhe po punojmë me intensitet të shtuar, që bashkërendojmë veprimet me të gjitha institucionet të cilat janë përgjegjëse, ashtu që të sigurohemi që të kemi ambiente sa më të sigurt për fëmijët tanë, jo vetëm në shkollë, por edhe rreth shkollës dhe qëllimi jonë është që të punojmë më shumë në parandalim, në vetëdijesim edhe në ndërgjegjësim, të të gjithëve për të shmangur çdo formë të dhunës ndaj fëmijëve, por në anën tjetër edhe për të ndihmuar në adresimin e tyre në rastet kur kjo evidentohet”, ka thënë Nagavci.
Tashmë, ka përfunduar viti shkollor 2021/2022, e në shtator pritet të filloj viti i ri shkollorë.
Për sigurinë e fëmijëve një bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Ministrinë e Arsimit po shihet si urgjent.
Një përgjigje për bashkëpunim e kemi marrë nga Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, Ministria e Arsimit me policinë kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform detyrave e autorizimeve ligjore që ka, sipas fushëveprimit ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha institucionet, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe ato të arsimit” thuhet në përgjigjen me shkrim nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se ditë më parë, Policia e Kosovës ka konfiskuar arsenal armësh në afërsi të shkollave në Ferizaj.
5 armë zjarri (pistoleta), 2 armë të gjata gjysmë automatike, sasi e municionit, 40 thika, kryesisht të nxënësve të shkollave të mesme, 10 boksa metali te nxënësit e shkollave të mesme, 6 mullinj për bluarje të marihuanës, 4 shufra metali, dhe 1 elektro shok, u gjeten e me pastaj u konfiskuan nga Policia e Kosovës pas një aksioni në afërsi të shkollave të Ferizajt.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësim të madh në shoqëri./EjonaHyseni/arbresh.info/
Kanosi verbalisht zyrtarin policor, arrestohet një person në...
Real Madridi vendosi dy rekorde të padëshiruara pas humbjes ...
Trump dhe presidentja meksikane bisedojnë për migracionin
SHBA: Ukraina duhet të rrisë mobilizimin ushtarak për të luf...
Kurti uron 28 Nëntorin: Kjo festë na gjen me projektin e Kom...
Revista spanjolle: Zbulimi i perlave të fshehura, Shqipëria ...