“Sot nderojmë të vrarët më 2 maj 1999, të cilët më s’janë me neve. U nderojmë edhe juve që jeni këtu e qëndroni të fortë përkundër vuajtjes e humbjes së madhe gjatë luftës. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë qëndresën e popullit. I përkulemi popullit të Kosovës që nuk u përkul para terrorit të Serbisë,” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore të masakrës në Studime të Komunës së Vushtrrisë.
Para të pranishmëve, Kryeministri tha se pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore. ‘’Masa e krimit e detyroi edhe NATO-n atëbotë të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë te tillë krimi,’’ u shpreh ai, përcjell Arbresh.info.
Kurti theksoi se nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull, kemi zgjedhur të jemi të fortë, të bashkuar në dhembje por edhe në shpresë.
“Le të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë, përkushtimin për drejtësi, e të frymëzuar nga buzëqeshjet e fëmijëve. Fëmijët që lindin dhe po rriten në liri janë dëshmi e fuqishme e asaj që kemi arritur dhe shpresës që mbartim çdo ditë,” shtoi ai.
“Do të vazhdojmë të vijmë këtu çdo vit për nderimin e 116 civilëve, ashtu siç do të bëjmë në çdo vend të Kosovës ku krimi ka lënë, të vdekur njerëzit tanë, dhe të gjallë dhembjen tonë. Deri te nderimi universal i drejtësisë, e drejt ngadhënjimit konkret të drejtësisë, homazhi shtetëror do të jetë sistematik’’, tha Kryeministri.
Në nderim të 116 civilëve shqiptarë, nga 11 deri në 84 vjeç, të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë në Studime, Kryeministri Kurti, së bashku me Presidenten Osmani vendosën kurorë të përbashkët dhe bënë homazhe te varrezat.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu
I nderuar Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës z. Ejup Maqedonci,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
I nderuari kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi,
I nderuar kryetar i Komunës së Mitrovicës. z Bedri Hamza,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuari ish- kryeministër Haradinaj,
Familjarë të ish- presidentit Thaçi,
Të nderuar veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashura nëna dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve e martirëve të kombit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Sot nderojmë të vrarët më 2 maj 1999, të cilët më s’janë me neve. U nderojmë edhe juve që jeni këtu e qëndroni të fortë përkundër vuajtjes e humbjes së madhe gjatë luftës. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë qëndresën e popullit. I përkulemi popullit të Kosovës që nuk u përkul para terrorit të Serbisë.
Këtu në më pak se dy orë janë vrarë 116 persona, nga 11 vjeç e deri në 84 vjeç, civilë të paarmatosur, refugjatë nga shumica e fshatrave të Shalës dhe rrethit të Vushtrrisë. Vrasjet janë kryer nga policë e paramilitarë serb, por grumbullimin e njerëzve nga krejt rajoni i Shalës e ka bërë ushtria e rregullt serbe. Dëshmitarët thonë t’i kenë dëgjuar duke komunikuar në radio-lidhje mbi numrin e të vrarëve duke thënë “pak është, vazhdoni më tutje”.
Masakra e tmerrshme e Studimes nuk ka ndodhur e vetme. Ajo radhitet mes masakrave kundër shqiptarëve dhe pas gjenocidit të Srebrenicës.
Në dimrin dhe pranverën e vitit 1999, janë aq shumë masakra të kryera nga Serbia në Kosovë. Andaj, veçanërisht këta muaj u përkushtohemi përkujtimit të viktimave, të masakrës së Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe, masakrës ndaj familjes Berisha, masakrës së Izbicës, masakrës mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, masakrës së Belegut në Deçan, të Pastaselit në Rahovec, të Kralanit, Rrezallës, Lubizhdës, Dyzit, Mejës e të Korenicës. Dje ishim në Nabërgjan të Pejës për të përkujtuar të vrarët më 1 maj, e sot jemi bashkë këtu në Studime të Vushtrrisë.
Numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal të shtetit serb. Presidenti aktual i shtetit serb është ministri i propagandës së asaj kohe. Pra, ne jemi të qartë në vullnetin tonë për drejtësi dhe në kërkesën tonë për vlerësimin e duhur të gjenocidit. Krimet kanë ndodhur para një çerek shekulli, por 25 vite janë më pak se vitet e karrierës së presidentit Serbisë. Mungesa e dënimit të krimineleve serbë është faji i dytë mbi viktimat pas përfaqësimit të shtetit serb prej ministrit të Milosheviqit. Pra, duhet drejtësi për viktimat dhe jo respekt për shtetin që nuk ka kuptuar asgjë sepse mohon çdo gjë. Duhet njohja e plotë dhe universale e masakrave në kushtet kur është po ajo Serbi që ndërmerr përsëri nisma si agresioni terrorist në Banjskë apo radhitja e forcave në kufi të vendi tonë. Përballë terrorizmit shtetëror ka vetëm një veprim: të bëhet drejtësia si domosdoshmëri universale për të gjitha viktimat. Ky është kushti i parë për paqen. Ky është kushti për stabilizimin e vërtetë të së ardhmes në rajon.
Shteti serb i sotëm i mohon masakrat që kanë kryer ushtarët dhe policët e tij në bazë të strategjive gjenocidale me emrin “Patkoi” dhe me pasojë vrasje e deportime masive, spastrim etnik të Kosovës.
Pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore. Masa e krimit e detyroi edhe NATO-n atëbotë të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë te tillë krimi.
Të nderuar të pranishëm,
Tmerri i 2 majit të vitit 1999, shkaktoi humbje të pakthyeshme dhe dëm të pariparueshëm.
Për këtë dhe krimet e tjera të kryera nga Serbia, për herë të parë, në regjistrimin e popullsisë kemi përfshirë pyetësorin e dëmeve nga lufta 1998-’99 në ekonomitë familjare dhe humbjet në njerëz. Ky regjistrim, që vazhdon deri më 17 maj, krahas një pasqyre të së tashmes, gjithashtu do të na sigurojë bashkërisht një evidencë të së kaluarës.
Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet anembanë Kosovës, tash e kemi të funksionalizuar edhe Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Andaj, u bëj thirrje të gjithëve, secilës e secilit, që të kontriboni me të dhëna e me dëshmi në këto dy procese kaq të rëndësishme për Republikën tonë, për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë.
Të dashura motra dhe vëllezër,
Nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull, kemi zgjedhur të jemi të fortë, të bashkuar në dhembje por edhe në shpresë. Ne kemi mbijetuar dhe kemi ndërtuar jetën e re.
Le të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë, përkushtimin për drejtësi, e të frymëzuar nga buzëqeshjet e fëmijëve. Fëmijët që lindin dhe po rriten në liri janë dëshmi e fuqishme e asaj që kemi arritur dhe shpresës që mbartim çdo ditë.
Ne po vazhdojmë të ndërtojmë e forcojmë Republikën e Kosovës së bashku, për ata që dhanë jetën e tyre dhe për ata që do të jetojnë pas nesh, duke u siguruar që asnjë brez tjetër të mos përjetojë terrorin që ne e kemi jetuar.
Do të vazhdojmë të vijmë këtu çdo vit për nderimin e 116 civilëve, ashtu siç do të bëjmë në çdo vend të Kosovës ku krimi ka lënë, të vdekur njerëzit tanë, dhe të gjallë dhembjen tonë. Deri te nderimi universal i drejtësisë, e drejt ngadhënjimit konkret të drejtësisë, homazhi shtetëror do të jetë sistematik. Masakrat dhe viktimat janë sa çështje shtetërore e kombëtare e jona, aq edhe e drejtësisë dhe ndjeshmërisë ndërkombëtare. Përkujtim i përjetshëm dhe drejtësi e domosdoshme është thirrja dhe mënyra jonë.
Të rënët për liri nuk do të jenë kurrë të harruar. Rroftë forca dhe shpresa që ata na lanë! Rroftë e qoftë populli ynë liridashës!
Lavdi!
Ministri Peci ndau grant për vëllain e deputetes Fitore Paco...
Kurti: Historikisht, rinia ka qenë nismëtare e vendimeve dhe...
Kumbaro ndan postimin e gazetës gjermane për Shqipërinë: Ven...
Policia e Kosovës konfiskon armë dhe uniforma ushtarake të S...
Përfundon seanca e sotme në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëv...
Presidentja ia kthen Kuvendit në rishqyrtim edhe një ligj, a...