Masakra e Reçakut, tmerri që u përjetua mëngjesin e 15 janarit 1999

10:03 | 15 Dhjetor 2019
A Z

Kalendarët po shënonin mëngjesin  e 15 janarit të vitit 1999…

Kohë kjo nga e cila shqiptarët e Kosovës po kalonin një nga sfidat më të rënda për liri.

Ishte një e premte e ftohte dimri, ku më tepër se gjysma e banorëve të fshatit Reçak të Shtimes ndodheshin në shtëpitë e tyre, kur forcat serbe, hyrën në mënyrë mizore për të kryer vetëm një prej shumë masakrave të tmerrshme që po i bënin gjithandej Kosovës, shkruan arbresh.info

Duke mos kursyer të moshuar, gra e madje as fëmijë, masakra e Reçakut, rezultoi me 45 të vrarë të pafajshëm.

Edhe pse Serbia e ditës së sotme ende nuk e pranon, masakra e Reçakut, u cilësua si “ Krim Kundër Njerëzimit” nga diplomati amerikan William Walker dhe mbarë ndërkombëtarët.

Tani, kur bëhen 20 vjet nga masakra, banorët e fshatit, të cilëve iu vranë familjarët, thonë se janë të dëshpëruar me faktin se askush nuk u dënua për krimet e kryera.

Aziz Beqiri i cili është njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre, e kujton atë ditë me një shikim të hidhur në sy.

“15 janari për neve ka qenë një tmerr i madh, por edhe për gjithë Kosovën. Por nuk ka qenë vetëm 15 janari, edhe para kësaj date ata kanë hyrë disa herë, kanë provokuar disa herë. së pari e kanë djegur 30 përqindëshin e fshatit me 30 gusht, kanë ndalur rrymën, dhe më kujtohet mirë që kemi qenë në muajin e Ramazanit. Jemi informuar nga transistorët dhe nga detajet që i marrshim nga njeri tjetri. Pas kodrës së pishave kane qenë përmbi 56 tanke”, shprehet Beqiri

Ai thotë se në kohën kur forcat serbe hyrën në fshat, banorët ishin të pa informuar dhe të pa përgatitur për mbrojtje.

“Kur filloi aksioni më 15 janar, unë isha në shtëpi me familje. dhe 60 përqindëshi i fshatit ishin në shtëpitë ë tyre. Ishte ora 6.45 me një krismë të madhe, e kishin rrethuar fshatin dhe më pas filloi aksionin policia e stacionit policor. Çdo lëvizje, çdo përpjekje, që e bënin njerëzit për të shpëtuar, i masakronin, i vranin. Unë kam shkuar në mal për të marr pjesë në mbrojtje, por shtëpinë time e kanë gjuajtur me granata brenda së cilës ishin familja ime, së bashku me kushërinjtë, dhe djali i vëllait tim që ka qenë fëmijë”

Aziz Beqiri, tregon se si atë natë të tmerrit, u mundua së bashku me shokët e tij për t’i mbledhur kufomat në një vend..

“Gjatë gjithë natës jemi munduar të mbledhim informacione në lidhje me të vrarët. Sipas informacioneve të para, i lajmëruam 17 të vrarë, 13 të plagosur dhe në atë moment ishin 29 gjithsej, emrat e të cilëve ja dhamë gazetarëve të huaj për të treguar se çka kanë bërë. Unë së bashku me 5 persona të tjerë, gjatë gjithë natës pastruam terrenin nga kufomat.”

Ai duke thënë se kufomat i kishin tubuar tek Xhamia e fshatit, përmend edhe William Walkerin që e kishte cilësuar këtë masakër si Krim Kundër Njerëzimit.

“Erdhëm tek Xhamia, dhe u takuam me William Walker, me ekipin e tij nga OSBE-ja të cilët morën informacione dhe i regjistruan ku më pas i shpalli krim kundër njerëzimit. Më 16 janar, gjatë gjithë ditës nuk guxuam të bëjmë asnjë lëvizje por kur u terrua, filluam me i mbledhë kufomat në xhaminë e fshatit, nga ku dhe do t’i varrosnim. Me kerr e kali filluam t’i bartim kufomat drejtë xhamisë”, deklaroi Beqiri.

Aziz Beqiri më tutje thotë se forcat serbe e kishin pushkatuar fshatin përsëri për t’i marrë me dhunë kufomat nga xhamia.

“Dhjetëra gazetarë të huaj ishin mbledhur në xhami për të raportuar, dhe në një moment njëri prej gazetarëve më tha se kishte marrë informacion se serbët po donin me i marr kufomat me dhunë. Na morën kufomat me dhunë, dhe nuk na kthyen për afro një muaj, dhe më pas na i kthyen vetëm disa prej tyre të cilët i varrosëm me ndihmën e qytetarëve të ardhur nga e gjithë Kosova”

Ai më tutje thotë se, politika e Serbisë së sotme, është e njëjte me atë të  Sllobodan Milosheviqit.

“Ajo që e kanë bërë, ka qenë tmerr dhe ende nuk e pranojnë. Unë nuk e kuptoj se si bashkësia ndërkombëtare po mundet me e duru. Nuk dua të më njeh ai mua kurrë. Unë çuditem edhe me serbët e Kosovës se ajo politikë i ka sakatuar edhe ata edhe neve dhe asnjeri nuk tha e Milosheviqit  ndal. Në luftë ka pasur edhe viktima nga serbët e Kosovës. Politika e  Vuçiqit  dhe Daçiqit është e njëjtë sikurse e Milosheviqit”, thotë Beqiri.

Duke e kujtuar atë ditë të tmerrit Beqiri, thotë se ushtria serbe, nuk i kishte dhënë as ujë të plagosurve që i kishte masakruar.

“Në lidhje me të kufomat më kujtohet se i kanë plagosur dhe nuk i kanë dhënë asnjë pikë ujë me pi. Politikanët tonë shumë po gëzohen kur po shkojnë në takime me ta. Albin Kurti më ka pëlqyer kur tha që do të merret vesh me serbët e Kosovës e jo me Beogradin,” përfundon rrëfimin  Beqiri.

/Gazetar: Alban Begolli – Kamera: Rron Agolli /arbresh.nfo/.

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2433909490204697/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme