Marsh për 1648 të zhdukurit në Kosovë

08:35 | 30 Gusht 2018
Arbresh.info

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur – 30 gushti.
Ndërkohë edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës, familjarët kërkojnë më shumë se 1,648 persona ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kjo ditë në Kosovë shënohet me aktivitete të ndryshme, ku familjarët kërkojnë që të mësojnë për fatin e atyre që u mungojnë.

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në orën 12:00 mban marsh me moton “Marsh për ata/o që ende mungojnë! Marsh për të vërtetën! Marsh për Drejtësi!, i cili ka për qëllim që të ngrisë vetëdijen dhe në të njejtën kohë përgjegjësinë shoqërore për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për më shumë se 1,600 persona ende të pagjetur në Kosovë, nga të gjitha grupet etnike.

Kurse, kjo ditë do të shënohet edhe në një organizim nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës-Komisionit qeveritar për persona të zhdukur në bashkëpunim me Këshillin koordinues të asociacioneve familjare të të zhdukurve të Kosovës dhe organizata tjera vendore dhe ndërkombëtare, nga ora 16:30 në Prishtinë organizojnë marsh përkujtimor dhe vendosjen e luleve te Përmendorja dedikuar personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.

Të dy aktivitetet janë paraparë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme