Zbatimi i marrëveshjes verbale mes Kosovës dhe Serbisë që u zotua më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, varet krejt nga presioni amerikan mbi BE-në dhe Serbinë.
Kështu thotë nënkryetari dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj për “Arbresh.info”.
“Mendoj që fakti se nuk kanë arritur ta nënshkruajnë marrëveshjen, ajo është ndërruar më shumë në një lloj mosmarrëveshje, me një lloj pajtimi, dakordimi, sesa një marrëveshje. Marrëveshja do të kishte komplet fuqi tjetër ligjore nëse do të nënshkruhej prej Kurtit dhe Vuçiçit, nëse do të ratifikohej në dy Kuvendet gjegjëse, përtej përmbajtjes së çka përmban, do ta kishte karakterin e një marrëveshje ndërkombëtare, dhe si e tillë është më shumë një marrëveshje verbale sesa ndërkombëtare”, shprehet Hoxhaj.
Ai pohon se në të kaluarën janë nënshkruar marrëveshjet, duke i përmendur ato që janë bërë në kohën kur kryeministër ishin Thaçi dhe Mustafa.
“Unë nuk dua të hyjë në interpretimet e të drejtës ndërkombëtare, por dua të hy në një realitet konkret politik. Ne në të kaluarën, edhe në marrëveshjen e parë për normalizim, e kemi nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe marrëveshja për drejtësi është nënshkruar. Ka një listë të gjatë të marrëveshjeve që janë nënshkruar qoftë nga kryeministri Thaçi, qoftë nga kryeministri Mustafa, apo edhe nga Edita Tahiri”, thotë ai.
Ai e sheh si rrezik mos nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pasi sipas tij i jep mundësi Serbisë të mos i përmbahet.
“Ky është rreziku dhe kjo varet prej dy anëve, e para se sa z. Kurti do të jetë kooperative me partnerët tanë në vendosmërinë e tij për ta mbështetur një marrëveshje të tillë dhe se sa BE si ndërmjetësues dhe mbi të gjitha amerikanët do të bëjnë presion mbi BE-në dhe Serbinë që t’i zbatojë këto zotime, por aktualisht, janë zotime verbale”, thekson ai.
VV: Detyrimet rrjedhin për të dyja palët, pavarësisht se është nënshkruar ose jo
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë se është e qartë dhe e konfirmuar edhe nga ndërmjetësuesi, që palët janë dakorduar verbalisht dhe detyrimet sipas tij, rrjedhin për të dyja palët pavarësisht se është nënshkruar ose jo.
“Natyrisht si model njohët edhe nga praktika e të drejtës ndërkombëtare, por kuptohet se Serbia+ përkundër faktit që në të shkuarën ka pasur shumë raste që ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, madje vetë Aleksandër Vuçiç ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën siç është viti 2015 dhe arsyetimi që përdor se nuk nënshkruan marrëveshje me Kosovën, se Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombtarisht, natyrisht që demantohen. Unë kam bindjen e plotë që përmbajtja e marrëveshjes kësaj here e ka determinuar faktin që Serbia të mos i vë nënshkrimin. Kur ishin marrëveshjet në favor të tyre, siç ishte viti 2013-2015, nuk e kishin fare problem”, thotë Rrustemi për “Arbresh.info”.
Sipas tij, përmbajtja e marrëveshjes është e detyrueshme për të dyja palët, në mënyrë të plotë, identike dhe të tërësishme, pavarësisht nëse është nënshkruar ose jo.
“Serbia nuk mund t’i ik asnjë detyrimi që parasheh marrëveshja. Ajo mund ta justifikojë për konsum të brendshëm politik në mënyra të ndryshme, por që është e qartë që palët janë pajtuar. Aneksi, pak a shumë dhe marrëveshja parashohin një periudhë prej pesë muajsh, gjatë së cilës duhet të përmbushet kjo marrëveshje në secilën pikë. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë për sa i përket edhe zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme, por i mbetet BE-së dhe SHBA-ve, që të krijojnë mekanizma që monitorojnë dhe detyrojnë Serbinë për të zbatuar secilën pikë”, shprehet deputeti i VV-së.
Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, konsideronse vetëmenaxhimi është autoniomi, e cila del jashtë statutit dhe jashtë Asociacionit.
“Realisht, kjo është vazhdimësi e negociatave mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Kryeministri aktual i Republikës së Kosovës ka devijuar nga agjenda e tij politike. Unë mendoj se duhet tu kërkoj falje qytetarëve të vendit. Marrëveshjet të cilat kanë qenë të kaluara, psh nëse kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës, ato nuk kanë nevojë të nënshkruhen apo të miratohen në Kuvend”, thotë Beqa.
Ai pohon se Kryeministri duhet të negociojë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Unë konsideroj se kjo marrëveshja për të cilën po fol Kryeministri, e për të cilën ai është pajtuar edhe në Bruksel edhe në Ohër, mendoj se ka dal nga formati edhe kushtetues, mendoj se ka elemente të cilat e prekin Kushtetuesen, siç është rasti me statutin e kishës dhe vetëmenaxhimin.
Ndryshe, një nga pikat e marrëveshjes verbale mes Kurtit dhe Vuçiçit në takimin e Ohërit, ishte edhe pika e 7.
Kurti pas takimit ka thënë se në këtë pikë për të cilën është dakorduar me Serbinë në takimin e 18 marsit, bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb e jo të komunave.
Sipas tij, kjo nuk është e njëjta gjë, pavarësisht se nuk janë krejtësisht të ndryshme.
“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë, thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb, thuhet komunitetit jo komunave, komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Pra nuk është e njëjta gjë, unë e kuptoj se nuk janë krejtësisht të ndryshme ose të palidhura. Nga pikëpamja ime e fuqishme kur themi komuniteti serb atëherë automatikisht shkojmë te marrëveshja kornizë për mbrojtje të pakicave sipas Këshillit të Evropës”, kishte thënë Kurti./Arbresh.info/
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...