Marrëveshja me Izraelin, Haradinaj-Stublla: Po thyhet fushata agresive e Serbisë për çnjohje të Kosovës

15:49 | 1 Shkurt 2021
Arbresh.info

Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se sot Kosova ka shënuar një datë historike dhe se Izraeli është vendi 117 që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ajo po ashtu u shpreh se një marrëveshje tillë rrëzon secilin argument për vendet mosnjohëse, raporton arbresh.info

“Kosova sot po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin – një moment ky siç e thash edhe më herët historik dhe i jashtëzakonshëm, i cili jo vetëm që e forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtar por edhe rrëzon secilin argument për vendet mosnjohëse për të vazhduar me mosnjohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Sipas ministres në detyrë një marrëveshje e tillë ndal edhe fushatën agresive të Serbisë.

“Me aktin e sotëm të vendosjes së këtyre marrëdhënieve diplomatike dhe konkretizimit të kësaj njohjeje Kosova thyen po ashtu edhe zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë për çnjohjen e Republikës së Kosovës dhe po krijojmë një terren dhe horizont të ri për njohjen universale”, tha Haradinaj-Stublla./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme