Gjetja e një zgjidhje përmes dialogut Kosovë-Serbi do të prodhonte stabilitet në Ballkan, andaj kjo çështje ka një interes të veçantë për ShBA-në, por edhe BE-në.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati tha në një intervistë për Ekonomia Online se zgjedhja e problemit shqiptaro-serb është thelbësor për paqen stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.
“Sigurisht që dialogu me Kosovë-Serbi zgjidhja e problemit mes vendeve, zgjedhja e problemit shqiptaro-serb është thelbësor për paqen stabilitetin, sigurinë në Ballkan, kjo nuk ka dyshim.
Prandaj ka edhe kaq interes realisht edhe prej BE-së edhe prej ShBA-së, sepse mos të ishte një çështje edhe e sigurisë edhe paqes atëherë nuk do të kishte kaq interes për ketë dialog, por sigurisht që edhe ne kemi interes jetik që ky proces të kryhet”, është shprehur ai.
Kurse sa i përket iniciativës së bashkëpunimit rajonal “Open Ballkan”, Murati ka thënë se Kosova duhet ta trajtojë seriozisht dhe mos ta refuzojë pa një debat racional politik e shoqëror.“Në thelb Bashkimi Evropian promovon bashkëpunimin, idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave, kapitalit, shërbime e tjera, por nuk mendoj që në këtë moment ai do të kushtëzoj diçka Kosovën, për sa i përket sidomos çështjes së “Open Ballkan”.
Kjo është një çështje që Kosova duhet ta mendojë mirë dhe duhet ta trajtojë me seriozitet dhe jo kështu siç është sjellë, vetëm ka refuzuar bllanko, por të mendoj se a ia vlen apo jo, pra të ketë një debat shoqëror edhe ne nivelin politik më racional”, ka shtuar ai.
Edhe njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë për EO se qeveritarët kosovar duhet të jenë më të zëshëm sa i përket çështjes “Open Ballkan”, pra sipas tij, ata nuk duhet vetëm të refuzojnë, por të arsyetojnë pse nuk i bashkohen kësaj nisme.
“Unë mendoj se jemi në një Qeveri që është në gëzhojë, shumë pak po komunikon me faktorin ndërkombëtar edhe për këto iniciativat që po bëhen rajonale. Unë këto nuk i shoh fare të mira si kjo “Open Ballkan” në kuptim të asaj se kur ti lidhesh në një rreth ku dominon një shtet nga rajoni pra në këtë rast Serbia, ajo domosdoshmërish do të imponon politikën e vet në aspektin e reflektimit”.“Mendoj që qeveritarët tonë të jenë më të zëshëm, jo vetëm të refuzojnë pa dhënë arsyetime por të tregojnë se cili është qëllimi serb në krejt këtë nismë, normal që të kërkojnë ndihmën e të tjerëve”, është shprehur ai.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, Ibishi ka konsideruar se pala kosovare duhet të jetë më e qëndrueshme në kërkesa që mos të bie nën ndikimin serb.
“Qëllimi i Kosovës duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, po edhe kjo Qeveri vazhdon avazin e vetëm një deklarimi refuzues pa mundësi që ajo të reflektojë në kuptimin e lidershipit për integrim në Bashkimin Evropian dhe të refuzojë këtë ofertë që po tentojnë disa liderë të Ballkanit që mendoj që është e rrezikshme për shkak të vet dominimit serb, dhe çështjet tjera që lidhen nga aspekti i sigurisë, në këtë formë i japim favore dikujt dhe jo edhe vetës. Mirëpo kjo duhet arsyetuar dhe jo vetëm në formë deklarative që refuzojnë këtë projekt, pa dhënë arsyetim se qëllimi ynë është BE dhe jo të krijojmë struktura që aludojnë në ish-Jugosllavi apo në një integrim tjetër”.“Dialogu është nisë, ai është konceptuar më herët dhe kjo mendoj që duhet vazhduar, veç janë dhënë ato kornizat e Qeverisë së re. Sa do të jetë ajo konsistente në realizimin e politikave është të shohim, por nuk po shkon në formë refuzuese. Mendoj që qeveria duhet të jetë e qëndrueshme në kërkesat e veta e mos të bie në ndikim serb në këto bisedime”, ka përfunduar ai për EO.
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...