Tash e 29 vjet, familja Gashi nga fshati Studençan i Komunës së Suharekës, nuk ka marrë asnjë lajm për fatin e familjarit të tyre Veselit, i cili në vitin 1991, në moshën 20-vjeçare, kishte shkuar në Bjellovar të Kroacisë në shërbimin ushtarak, në ish-Armatën Popullore të Jugosllavisë.
Veseli Gashi është një nga shumë qytetarë të Kosovës, ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i tyre, gjurmët e të cilëve kanë humbur gjatë luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve 1991 e deri më 1995, në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Nurish Gashi, vëllai i Veselit, ka rikujtuar kohën kur vëllai i tij kishte shkuar në shërbimin ushtarak, i cili ishte i obligueshëm atëherë dhe më nuk ishte kthyer kurrë.
“Ka qenë në gjeneratën e fundit që kanë pas shkuar në shërbim ushtarak, prej këtu (Kosovë). Ka shkuar në muajin qershor të vitit 1991. Fati i tij, plasi lufta atje dhe prej aty ka kaluar në Bosnjë pastaj dhe për një muaj e gjysmë kemi komunikuar me të, përmes letrave. Më pas është ndërpre lidhja dhe më nuk kemi të dhëna për të fare. Babës i patën thënë që me siguri ka kaluar ushtria jugosllave prej Kroacisë në Bosnjë dhe duke menduar që është në zonë të luftës, ai ka menduar të shkojë që të marrë vesh diçka për të. Gjatë kohës sa ka qenë në Bosnjë lufta, babai ka qenë dy apo tri hera atje, mu në zonën e luftës, por më nuk kemi asnjë të dhënë për të”, tha Nurish Gashi.
Kosovarë të pagjetur që nga luftërat në territorin e Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës
Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë që ndonëse nuk dihet numri i saktë i qytetarëve të Kosovës që kanë humbur jetën ose figurojnë si të pagjetur gjatë luftërave në territorin e Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, megjithatë supozohet se është një numër i konsiderueshëm.
“Kam frikë që këto viktima kanë mbetur nën hijen e viktimave të shumta që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë dhe nuk e kanë marrë hapësirën e merituar në debatin publik në Kosovë. Pra, në njëfarë mënyre, janë të neglizhuara dhe të margjinalizuara. Në anën tjetër, institucionet e vendit kanë bërë pak që të zbardhet fati i tyre, sidomos i personave nga Kosova, të zhdukur në Kroaci dhe Bonjë e Hercegovinë. Shume familje, madje ende nuk e dinë as ku t’i kërkojnë informatat për fatin e më të dashurve të tyre”, theksoi Blakaj.
Megjithatë, autoritetet në Kosovë thonë se ekziston adresa ku familjarët e qytetarëve që figurojnë si të pagjetur që nga lufta në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, mund të drejtohen.
Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se kohët e fundit në adresë të këtij komisioni kanë ardhur disa kërkesa nga familjarët e qytetarëve të Kosovës, për fatin e të cilëve nuk dihet që nga lufta në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas tij, tashmë ekziston një plan kornizë rajonal, i nënshkruar në nëntor të vitit 2018 nga komisionet qeveritare për të pagjeturit të shteteve të rajonit, në kuadër të së cilit është intensifikuar bashkëpunimi rajonal për sfidat e përbashkëta lidhur me të pagjeturit.
Sipas tij, që atëherë janë mbajtur një varg takimesh dhe së fundmi, tashmë ka nisur bashkëpunimi edhe me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë.
“Deri më tash, janë diku rreth 20 raste që i kemi trajtuar me shtetin e Kroacisë. Së fundmi, janë pesë raste që i kemi trajtuar me Bosnjën. Janë një numër i rasteve, që tashmë janë të regjistruar paraprakisht nga institucionet e Bosnjës, si persona të zhdukur, ani pse janë qytetarë të Kosovës, por përmes familjeve në komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e Bosnjës. Ka raste (të evidentuara) që potencohen në luftën e Kroacisë, falë angazhimit dhe punës së vazhdueshme të shoqatave shqiptare që janë në Kroaci. Do të thotë se ka një numër të rasteve që janë të regjistruara. Ne, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, të paktën mbetjet mortore të gjashtë personave nga Bosnja i kemi riatdhesuar në Republikën e Kosovës”, tha Gara.
Megjithatë, ai shtoi se riatdhesimi i këtyre personave, deri më tash, ka qenë barrë familjeve, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal për të pagjeturit
Familja Gashi, menjëherë pas luftës në Kosovë, nuk kishte arritur që të shkojë më në Bosnjë, për të kërkuar informata lidhur me fatin e familjarit të tyre, Veselit. Por, megjithatë, siç thotë vëllai i Veselit, Nurishi, familja i ishte drejtuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), ku kishin dhënë mostrat e gjakut, për identifikimin eventual të familjarit të tyre përmes ADN-së. Megjithatë, sipas tij, jo rrallë ishin zhgënjyer edhe me organizatat ndërkombëtare.
“Na quan fjalë dhe kemi qenë në Batajnicë (Serbi), për të identifikuar kufomën, sepse kishin sjellë disa kufoma aty. Kam qenë unë me një axhë timin, bashkë. Shkuam, i shikuam ato dhe nuk ishte asnjëra i familjarit tonë. Në fakt, ata na thirrën ‘ejani që ta merrni kufomën se e kemi gjetur’ . Por, nuk ishte ai (Veseli) dhe ne nuk mund të vendosnim që ta merrnim një kufomë të huajën dhe ta çonim në fshat për ta varrosur”, tha Nurish Gashi.
Në anën tjetër, Gara thotë se institucionet janë të vetëdijshme për vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar familjarët e qytetarëve të Kosovës që kanë humbur pa gjurmë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë. Komisioni qeveritar për personat e pagjetur, sipas tij, është duke i pritur mandatin ligjor për t’u marrë edhe me çështjen e këtyre personave, por pavarësisht nga kjo, ai u bën ftesë këtyre familjarëve që t’i drejtohen këtij komisioni.
Gara thekson që, përkundër rrethanave politike, situata lidhur me bashkëpunimin rreth të pagjeturve, tashmë ka ndryshuar në kahe pozitive, me të gjitha vendet e rajonit.
“Meqë jemi në një fazë kur ne po e rrisim bashkëpunimin me këto shtete, atëherë sigurisht që thirrja është edhe për familjet, që vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe me mungesë të informacionit për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi, në këtë rast në luftën e Kroacisë dhe në luftën e Bosnjës. Thirrja është që të dhënat eventuale t’i ndajnë me institucionet e Republikës së Kosovës apo përmes institucioneve të saj t’i ndajmë në këtë rast edhe me institucionet kompetente të shteteve të rajonit, përkatësisht me Bosnjë e Hercegovinën dhe me Republikën e Kroacisë”, u shpreh Gara.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka thënë se është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të hartojnë politika dhe t’i marrin parasysh interesat e familjarëve të viktimave, qytetar të Kosovës, që kanë pësuar në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci. Sipas tyre, tashmë kanë kaluar 25 deri në 29 vjet nga lufta në këto dy vende dhe është momenti u fundit që institucionet e Kosovës të përkujdesen për zbardhjen e fatit të atyre viktimave, si dhe të japin ndihmë institucionale për familjarët e tyre. /rel
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e regjistrimit t...
BE ndalon një sasi të mandarinave shqiptare, cilësohen të rr...
KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset...
Kurti: Regjistrimi i popullsisë ofron pasqyrë të saktë për t...
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...