Në Maqedoninë e Veriut ka nisur debati për dekriminalizimin dhe legalizimin e marihuanës, pas deklaratës së kryeministrit, Zoran Zaev, se Ohri dhe qendrat e tjera turistike në vend duhet të mendojnë seriozisht të ndjekin shembullin e Amsterdamit, kur bëhet fjalë për përdorimin e marihuanës, në mënyrë që të zhvillohen dhe ngritet turizmi në nivelin evropian.
Qeveria të cilën e drejton Zoran Zaev, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, ka ftuar sektorin civil dhe të gjithë të interesuarit të jenë pjesë e debatit, që të hartohet një zgjidhje ligjore që do të mund të sillte përfitime të shumta.
“Ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, pasi kemi të bëjmë me një çështje komplekse. Përfshirja e të gjitha palëve të interesuar do të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhje cilësore që mund të sjellë më shumë përfitime për shtetin në aspekt të rregullimit të tregtimit të marihuanës, uljes së krimit, por edhe përfitime ekonomike, para së gjithash për turizmin dhe gastronomitë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Qeveria ende nuk ka dalë me ndonjë propozim konkret mbi legalizimin, por bazuar në deklaratat e kryeministrit Zaev, marihuana do të legalizohej në kushte të caktuara, në kafenetë ekzistuese dhe ato që do të hapen, me standarde të caktuar të ventilimit si dhe dëshmi mbi prejardhjes e marihuanës.
Ideja e pushtetit është që të ketë edhe ndryshime në ligjet ekzistuese për dekriminalizimin e marihuanës, respektivisht të mos ndiqen penalisht përdoruesit e saj. Personat që kapen duke prodhuar, shitur apo shpërndarë lëndë narkotike, sipas ligjeve në fuqi, dënohen nga një deri më pesë vjet burg.
“Ne ende jemi në fazën e konsultimeve. Si deputetë ende nuk kemi marrë asnjë tekst por për këtë çështje sigurisht se do të hapim debat të gjerë, do të ketë ndërhyrje që të kemi një propozim-ligj”, ka deklaruar Jovan Mitrevski, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Social Demokrate.
Opozita debatin për dektriminalizimin dhe legalizimin e marihuanës, e vlerëson si përpjekje të pushtetit për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga gjendja e rëndë me pandeminë, por edhe si përpjekje të qeverisë për vënien nën kontroll të këtij biznesi ilegal.
“Kjo është një temë që hapet për shpërqendrim të vëmendjes në një kohë shumë rëndësishme për vendin, si kriza me koronavirusin, ku çdo ditë humbim shumë jetë njerëzish dhe nga më shumë se një mijë të infektuar në bazë ditore. Kjo bëhet për të shpërqendruar vëmendjen edhe nga vetoja bullgare. Ne, ende nuk kemi parë një propozim-ligj, por është e qartë se bëhet fjalë për interesa biznesi duke pasur parasysh se familja Zaev është thellë e zhytur në biznesin e prodhimit të marihuanës”, ka deklaruar Nikolla Micevski, kryetar i Grupit Parlamentar të partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
Kundër idesë së kryeministrit kanë dalë edhe partitë e opozitës shqiptare.
“Ne nuk mund të lejojmë viktimizimin e jetës së qytetarëve tanë, që familja Zaev të pasurohet edhe më shumë”, thuhet në reagimin e partisë Alternativa.
Derisa partitë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje, Janaki Mitrovski, kryetar i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbra “Bilka”, për Radion Evropa e Lirë thotë se dekriminalizim dhe legalizim të marihuanës duhet të ketë, por jo ashtu siç pretendon pushteti.
“Ne kërkojmë legalizim të plotë të kanabisit. Çdonjëri që përdori atë, të mund edhe të kultivojë tre deri në katër rrënjë nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkohë, të gjithë të tjerët që kanë dëshmi mjekësore, bazuar në rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë, se kanë nevojë të përdorim kanabis për trajtim të sëmundjeve, të mund të mbjellin deri dhjetë rrënjë kanabis. Kjo do të ndihmojë shumë përdoruesit e marihuanës pasi momentalisht ajo sigurohet përmes tregut ilegal, ku një gram kushton 8-10 euro, kurse nëse u lejohet që ta kultivojnë vetë, atëherë shpenzimet do të jenë shumë më të ulëta”, thotë Mitrovski.
Sipas tij, nëse legalizimi nënkupton kultivimin vetëm nga subjektet të caktuar, nuk do të arrihej asgjë, madje do të stimulonte edhe më shumë tregun ilegal.
“Një legalizim i tillë jo vetëm që nuk do të ndalonte tregtinë ilegale, por do të nxiste atë edhe më shumë. Pra, në këtë rast as që mund të bëhet fjalë për legalizim, por e kundërta, do të ketë favorizim të grupeve apo individëve të caktuar për të bërë biznes”, thotë Janaki Mitrovski, kryetar i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbra “Bilka”.
Maqedonia e Veriut në vitin 2019 ka legalizuar kanabisin, por vetëm për qëllime mjekësore. Aktualisht janë 23 kompani që janë përfshirë në industrinë e prodhimit të kanabisit përfshirë edhe familja e kryeministrit, Zoran Zaev. Kushëriri i tij, Trajçe Zaev, është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri. Autoritetet qeveritare atëbotë deklaruan ky biznes pritet t’i sjellë shtetit përfitime, që mund të shkojnë deri në 100 milionë euro në vit.
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet
PDK dënon sulmin në Zveçan: Përpjekje e qartë për të frikësu...
Jep dorëheqje ministrja britanike e Transportit, kishte mash...
Anisa dhe Driloni bisedojnë për dashurinë
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...