Maqedonia e Veriut, sipas partive në pushtet, është në rrugë të mbarë që t’i zgjidhë të gjitha kontestet me shtetet fqinje, që e kanë shoqëruar këtë vend që nga pavarësia e tij në vitin 1991.
Pas marrëveshjes me Greqinë, më 17 qershor të vitit 2018, për ndërrimin e emrit të saj në Maqedoni të Veriut dhe njohjes së Kishës Ortodokse Maqedonase nga Kisha Ortodokse Serbe, më 24 maj, Maqedonia e Veriut shpreson ta zgjidhë shpejt edhe kontestin me Bullgarinë. Ky kontest ka të bëjë me gjuhën, identitetin, të kaluarën historike dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, nëpërmjet një njoftimi me shkrim, vendimin e Kishës Ortodokse Serbe për njohjen e Kishës Ortodokse Maqedonase-Patriarkanës së Ohrit, si Kishë Autoqefale e vlerësoi si “akt historik dhe një hallkë tjetër të fortë për prosperitetin dhe forcimin e miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë”.
Kryeministri Kovaçevski tha se beson që edhe me Sofjen “do të arrihet të kapërcehen dallimet”, por pa dhënë afate kohore, nëse kjo do të arrihet në qershor, siç ishin pritjet e zyrtarëve të shumtë.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë, vendimin e Kishës Ortodokse Serbe e vlerësoi si shumë të rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për stabilitetin në rajon, ndërsa beson në kapërcimin edhe të pengesave tjera, sipas saj, për të siguruar një të ardhme më të mirë.
“Pas Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001 dhe asaj të Prespës në vitin 2018, ky kontest i zgjidhur është edhe një model shembull i protagonizmit paqësor nga të dyja palët në kohën kur demonstrimi i një gjëje të tillë është më se i nevojshëm. Një nga një, me qasje konstruktive dhe me pjekuri po tejkalohen të gjitha pengesat dhe po hapen shtigjet që garantojnë të ardhmen e sigurt dhe progresive për vendin”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka thënë se problemet, përfshirë edhe atë me Bullgarinë, mund të kapërcehen vetëm të bashkuar, ndërsa ka mirëpritur vendimin e Kishës Ortodokse Serbe.
“Kisha Ortodokse Maqedonase duhet të jetë e bashkuar, ashtu siç duhet të bashkohet edhe populli ynë pasi vetëm atëherë do të kapërcehen të gjitha stuhitë”, ka thënë Mickoski duke theksuar se partia që ai drejton, VMRO DPMNE, “nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të dëmshme me Bullgarinë”.
VMRO DPMNE-ja nuk e ka njohur as Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit duke paralajmëruar se në rast të ndërrimit të pushtetit, do t’i rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet që, sipas saj, janë të dëmshme për vendin.
Risto Nikovski, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Beograd, Tiranë, Moskë e shtete tjera, thotë se njohja e Kishës Ortodokse Maqedonase nga ana e Kishës Ortodokse Serbe nuk nënkupton edhe mbylljen e këtij problemi, por edhe të kontesteve tjera.
“Problemet mbeten dhe me Greqinë edhe me Bullgarinë. Serbia hoqi, si të them, problemin me kishën që mund ta përdorte si pretekst për të kontestuar shtetin tonë dhe mund ta vlerësoj si një hap pozitiv pasi me serbët edhe më parë nuk kishim probleme pasi ata asnjëherë nuk e kanë kontestuar kombin edhe gjuhën tonë. Por, me Bullgarinë dhe Greqinë problemet mbeten. Greqia kishën tonë e njeh si Patriarkana e Ohrit, pra nuk e njeh si kishë ortodokse maqedonase dhe kjo do të dalë në sipërfaqe pasi të arrijë njoftimi zyrtar nga Patriarkana e Stambollit”, thotë Nikovski.
Ai shton se problemet sado që duken të zgjidhura, sipas tij, ato do të dalin në sipërfaqe me procesin e integrimit evropian.
“Me Bullgarinë asgjë nuk kemi zgjidhur, përkundrazi ne ndodhemi në qorrsokak, ndërsa grekët mezi presin që të nisim bisedimet e integrimit evropian që t’i hedhin në tavolinë të gjitha kërkesat tjera që kanë të bëjnë me fshirjen e gjithçkaje që është maqedonase, pasi ata duan të ne të jemi një komb i ri maqedono-verior”, thotë Nikovski.
Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike, thotë se problemet e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje nuk mbyllen me vendimin për njohjen e Kishës Ortodokse Maqedonase, përkundrazi, sipas tij, ky problem do të aktualizohet nga Greqia, e cila akoma nuk e njeh tërësisht kishën maqedonase.
“Kur ishte problemi i Maqedonisë me Greqinë, Bullgaria heshtte dhe nuk paraqiste asnjë problem. Sa zgjidhet një problem, del një problem tjetër dhe këtë e shoh më shumë si një paralajmërim se sapo të zgjidhet kontesti me Bullgarinë, do të hapet problemi me kishën. Pra, Maqedonisë [së Veriut] i paraqitet edhe një problem tjetër dhe këtë Serbia mendoj se e bën me tendencë për t’iu kundërpërgjigjur Bullgarisë se sa të zgjidhë problemin me Maqedoninë”, thotë Selmani.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk ka probleme vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat asnjëherë nuk e kanë kontestuar as kishën, as gjuhën dhe as identitetin maqedonas, përveç që kanë kërkuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet./REL/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?