Maqedonci priti në takim Viehen: Vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm

17:11 | 11 Dhjetor 2023
E.H

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Maqedonci e ka njoftuar Viehen për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen, përcjell Arbresh.info.

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka shkruar ministri në llogarinë e tij në Facebook.

“Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë ngushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT). Ritheksova faktin se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”, ka thënë Maqedonci.

Trajnimet e përbashkëta me forcat aleate, ngritja e kapaciteteve të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, investimet në personel e pajisje janë hapat që ministria ka ndërmarr në përmbushjen e synimeve.

“Nga ana e saj znj. Viehe shprehu vlerësim të lartë për profesionalizmin e treguar nga ana e Policisë së Kosovës në menaxhimin e sulmit të 24 shtatorit, e po ashtu theksoi se NATO ka rikonfimuar mbështetjen për KFOR-in dhe Kosovën”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme