Maqedonci priti në takim ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sarec

14:30 | 22 Dhjetor 2023
K.B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në takim bilateral ministrin e mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sarec.

Temë e këtij takimi ishte situata e sigurisë në vend dhe më gjerë rajon ku me këtë rast,Maqedonci theksoi se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj ai tha se duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor.

“Krahas situatës së sigurisë, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij slloven me të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene, përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund të zhvillohen përtej planit bilateral”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Gjithashtu, Maqedonci shprehu qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO.

Me këtë rast, ai kërkoi nga homologu i tij mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike.

Nga ana e tij, ministri Sarec garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven për Kosovën dhe gjithashtu shprehu vullnetin e tij të që bashkëpunimin e deritashëm që kanë dy vendet ta thellojnë edhe më tutje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme