Google ADS

Maqedonci në Rezallë: Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë

12:25 | 5 Prill 2024
E.K

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka përkujtuar 25 – vjetorin e masakrës në Rezallë të Skenderajt.

Me anë të një postimi në Facebook, Maqedoncoi ka shkruar se tre të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar, e njëkohësisht e forcës që populli ynë ka për t’u ringritur.

Gjithashtu, ai ka theksuar se në përvjetore të tilla kujtojmë rëndësinë e paqes dhe boshllëkun që le mungesa e saj.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 25 vjet që nga masakra në fshatin Rrezallë të Skenderajt. 25 vjet që nga dita kur në mënyrë mizore u ekzekutuan 98 shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe.

Nga 5 prilli i vitit 1999 janë 98 familje që çdo ditë ndiejnë mungesën e tyre, e padyshim kjo masakër si dhe shumë të tjera, mbetet e pashlyer në memorien tonë kolektive të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Tre të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar, e njëkohësisht e forcës që populli ynë ka për t’u ringritur.

Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë, e mos përsëritja e krimeve të tilla kundër njerëzimit është detyrë e çdo shteti proevropian që beson në vlera të demokracisë, në sovranitet të shteteve e në liri të njeriut.

Në përvjetore të tilla kujtojmë rëndësinë e paqes dhe boshllëkun që le mungesa e saj.

Lavdi gjithë martirëve!/Arbresh.info

Të ngjashme