Google ADS

Maqedonci: Institucionet në Serbi po synojnë që regjionin e Ballkanit ta fusim në garë të kapaciteteve ushtarake

17:24 | 6 Janar 2024
R J

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur se gjatë ditëve të fundit institucionet shtetërore në Serbi kanë rritur nivelin e shpërfaqjes së ideve të vjetra qe bazament kanë hegjemoninë dhe mosdurimin etnik.

Në lidhje me shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Maqedonci vuri në pah se institucionet në Serbi po synojnë që regjionin e Ballkanit ta fusim në garë të kapaciteteve ushtarake, shkruan Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Ditëve të fundit, institucionet shtetërore në Serbi kanë rritur nivelin e shpërfaqjes së ideve të vjetra që bazament kanë hegjemoninë dhe mosdurimin etnik, politik, kulturor e religjioz.

Përveç vazhdimit të mbështetjes së grupeve paramilitare dhe terroriste, furnizimit me sisteme armatimi nga Rusia dhe Kina, veprimi i fundit i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë për rikthimin e shërbimit të obligueshëm ushtarak dhe deklarimet cinike të Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë rreth liberalizimit të vizave dhe ndërlidhja me “parashikimin” e tij për largimin e 500 mijë shqiptarëve nga Kosova në drejtim të Bashkimin Evropian, shpërfaqë vazhdimësinë dhe prezencën e ideve kolonialiste dhe hegjemoniste te lidershipi politik në Serbi.

Para se Vuçeviq të “ëndërrojë” kolonat e kosovarëve duke lënë Kosovën duhet të shqetësohet për nivelin e represaljeve që regjimi të cilit ai i takon është duke ushtruar kundër qytetarëve të tij. Regjimi aktual i Beogradit si vazhdimësi e regjimeve të kaluara të Serbisë me përpikëri po ndjek hapat e “playbook-ut” të diktatorëve duke shtypur edhe liritë më elementare në Serbi. Dhuna dhe veprimet ndaj opozitarit Nikola Sanduloviq dhe ndaj çdo zëri tjeter demokratik janë tashmë të njohura nga shembujt e ngjajshëm që i shohim e dëgjojmë pothuajse çdo ditë në Federatën Ruse, Korenë e Veriut dhe Iran.

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe militarizimi i Serbisë përveç qëllimit për kërcënimin e fqinjëve, ka synim edhe frikësimin dhe mbajten nën kontroll të vet qytetarëve serb. Për më tepër përmes shërbimit të detyrueshëm, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tenton të fshehë moralin dhe motivin e ulët të ushtarakëve serb për t’i shërbyer regjimit aktual. Kjo është edhe një ndër arsyet pse lidershipi aktual në Serbi e ka të domosdoshme shfrytëzimin e kriminelëve dhe grupeve jo-formale për të shtyer para interesat e tij. Në fund përmes shërbimit të detyrueshëm, institucionet në Serbi, synojnë që regjionin e Ballkanit ta fusim në garë të kapaciteteve ushtarake, me qëllim destabilizimin, pengimin e integrimit euro-atlantik të rajonit, dobësimin ekonomik të fqinjëve dhe krijimit të ndjesisë së luftës në prag.

Pavarësisht kësaj shpërfaqje agresive të fqinjit tonë verior, Republika e Kosovës mbetet tërësisht e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës vazhdon të mbështesë zhvillimin e ushtrisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s si një forcë profesionale, të mirë-trajnuar, të mirë-pajisur dhe të gatshme për të mbrojtur tërësinë territoriale, rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë, pa dallim etnik, racor, politik e religjioz. Ministria e Mbrojtjes zhvillon koncepte si dhe është duke zhvilluar aktivitete bashkëpunimi me institucionet qendrore, nivelin komunale dhe komunitetin për vetëdijësimin e qytetarëve për rolin e secilit qytetar në mbrojtje, siguri dhe mbështetje të autoriteteve civile./Arbresh.info/

Të ngjashme