Maqedonci dhe Pistorius flasin rreth situatës së sigurisë në vend

21:19 | 5 Shkurt 2024
E.H

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Maqedonci me Pistorius diskutuan rreth situatës së sigurisë në vend, zbatimit të planit bilateral, si dhe fushat me interes në të cilat mund të zgjerojmë bashkëpunimin ushtarak, përcjell Arbresh.info.

“Ministrin e njoftova për fazën në të cilin jemi përsa i përket implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, zhvillimin e FSK-së, dhe synimin e qartë që kemi për t’u anëtarësuar në NATO. Ne gjthmonë jemi për paqe, dhe në funksion të saj jemi të përgatitur për mbrojtjen”, ka shkruar Maqedonci në llogarinë e tij në Facebook.

“Investimet e vazhdueshme në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale përmes shkollimit dhe trajnimit të ushtarakëve, si dhe investimit në armatime sipas standardeve të NATO-s, janë hapat e sigurt që po ndërmarrim për të garantuar përmbushjen e misionit kushtetues të FSK-së në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, sigurisë së qytetarëve, dhe ofrimit të mbështetjes në çdo mision përkrah partnerëve tanë strategjik”, shtoi Maqedonci.

Mes tjerash, ministri ka falënderuar Gjermanin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës për shtetndërtimin.

“Falenderova ministrin Pistorius për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Federale e Gjermanisë i ka ofruar Kosovës në secilën etapë të shtetndërtimit, e veçanërisht për mbështetjen e ofruar në aspektin ushtarak përmes shkollimit të ushtarakëve tanë si dhe donacioneve që kemi pranuar”, shkroi Maqedonci.

“Të dy u dakorduam që tani kur bota përballet me luftë hibride, kur po kërcënohen vlerat demokratike perëndimore, bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve duhet thelluar për të ruajtur stabilitetin dhe paqen”, tha Maqedonci./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme