Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e njësive të shumta ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vend”.
Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë – Turqi.
Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.
Sipas Maqedoncit, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.
“Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, ka vijuar ai.
Ministri Maqedonci ka thënë se FSK-ja është në fazën e dytë të transformimit në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve të këmbësorisë dhe luftarake për mbrojtje, ndërsa në fazën e tretë dhe të fundit do të hyjnë në vitin 2025. Ai shton se në këtë kuadër fokusi do të jetë ndërtimi i artilerisë, mbrojtjes ajrore dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake deri në vitin 2028.
Ai ka vlerësuar se ushtarët turq që shërbejnë në misionin e KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Turqia kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.
Duke folur për dronët Bayraktar që Kosova i bleu nga Turqia, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit po vazhdojnë.
“Ne kryejmë aktivitete të ndryshme me ta dhe realisht i shohim si aset themelor të FSK-së”, ka potencuar ministri i Mbrojtjes.
Kryeministri libanez shpreson për ‘faqe të re për Libanin’ p...
Shqipëria 2030 në BE, Rama: Plotësisht e mundur
Banorët hamendësojnë se sa mund të jetë ora
Regjistrohet tërmet në Maqedoninë e Veriut
Abdixhiku pret në takim ambasadorin e Zvicrës, flasin për zg...
Kurti: Forca jonë po rritet vazhdimisht, Republika po fuqizo...