Organizimi i manifestimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës po përcillet me kritika nga figura politike por edhe nga anëtarë të shoqërisë civile.
Mungesa e flamujve shtetërorë, numri i vogël i qytetarëve, pastaj ekspozimi për kohë të gjatë në diell i figurave të shquara botërore të ftuar në këtë manifestim, janë disa nga vërejtjet që kanë shpërthyer për mënyrën se si Kosova e festoi rrumbullakimin dydekadësh të lirisë. E fakti që nuk pati më shumë figura të shquara botërore, të kalibrit të Clintonit, Albrightit e Clarkut, shihet si tregues i izolimit të Kosovës, që në masë të madhe ndodh për shkak të korrupsionit në nivel të lartë.
Njohësi i zhvillimeve politike, Bekim Salihu, ka kritikuar organizimin e manifestimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai ka thënë se figura të njohura ndërkombëtare u detyruan të qëndronin në temperatura mbi 30 gradë për rreth dy orë, aq sa edhe zgjati manifestimi. Salihu ka thënë se aspekti i sigurisë ishte në nivel të duhur, por jo edhe ai teknik.
“Përgjithësisht organizimi i manifestimit të 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës ka qenë jo i duhur, veçmas organizimi qendror në shesh. Personalitete me peshë të madhe në botë janë detyruar të qëndrojnë rreth dy orë të ulur në një hapësirë pa hije, të ekspozuar në temperatura mbi 30 gradë. Aspekti estetik dhe i sigurisë në këtë manifestim ka qenë në nivel, por jo edhe ai teknik. Protokolli i shtetit do të duhet të tregonte se si anashkaloi vendosjen e ndonjë mbuloje që liderët botërorë të mos ekspozohen për orë të tëra në ato temperatura”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se numri i vogël i qytetarëve në manifestim ka ardhur për shkak të mosinformimit në mënyrë të duhur.
“Numri i qytetareve nuk ka qenë edhe aq i madh dhe kjo besoj që ka ardhur edhe për arsye të mos informimit në mënyrë te duhur”, tha ai.
Ndërkaq, Butrint Berisha nga PIPS ka kritikuar protokollin e shtetit për mungesën e flamujve shtetërorë në manifestimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai për Koha.net ka thënë se, mungesa e flamujve shtetërorë në manifestime të tilla nuk është e drejtë dhe as legjitime ndaj qytetarëve të cilët janë taksapagues.
“Është një vërejtje që unë personalisht e kam në organizimet shtetërore, d.m.th të protokollit të shtetit të Kosovës. Çdo herë nuk e shohim flamurin shtetërorë, është diçka që mua ma vranë syrin si qytetar i këtij vendi, edhe dje në disa foto që i kam parë, e pash flamurin e Amerikës dhe Shqipërisë por jo edhe të Kosovës dhe nuk është e drejtë, gjithashtu besoj që nuk është as legjitime ndaj qytetarëve të Kosovës që paguajnë taksë”, ka thënë ai.
Ai e arsyeton mbajtjen e flamurit të Shqipërisë dhe të SHBA-së, por thotë se nuk e kupton anashkalimin e atij të Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës shumë shpesh për shkak të historisë dhe të rrethanave që i kanë pas, e kanë njëfarë tendence me e shfaqë flamurin kombëtar, por kur ka organizim të shtetit nuk e kuptoj pse anashkalohet flamuri i Kosovës”, thotë ai.
Ndërkaq lidhur me mungesën e liderëve tjerë ndërkombëtarë në manifestimin e 20-vjetorit të çlirimit, Berisha ka thënë se Kosova është në periudhë të izolimit edhe në aspektin e pritjeve të liderëve vendorë nga ndërkombëtarët.
Sipas tij, dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të organizohen pritje dhe takime me ndërkombëtarët. Ai thotë se ky izolim ndërkombëtar po ndodh edhe për shkak të aferave korruptive me të cilat, sipas tij, Kosova ka bërë bujë në mediet botërore.
“Nuk e di si ka shkuar realizimi, a ka pas ftesa te dërguara, nuk kanë ardhur apo nuk janë ftuar. Kosova tash e disa vite është në një periudhë të izolimit d.m.th ka rënie totale të pritjeve për krerët shtetërorë. Dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë për me organizu pritje ndërkombëtare me liderë shtetërorë. Kosova është e izoluar ndërkombëtarisht më shumë se sa që ka qenë ndonjëherë prej vitit 2008 dhe për këtë më së shumti janë fajtore aferat korruptive dhe korrupsioni me të cilat Kosova ka bërë bujë në mediet ndërkombëtare tash e një kohë të gjatë”, ka thënë ai.
Ndonëse një ditë më herët, ish-presidentja Atifete Jahjaga, tha se manifestimi do të organizohej përtej ndasive partiake, një ditë pas festës lideri i LDK-së Isa Mustafa, tha se nuk ishte i ftuar.
Mustafa përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se nuk kishte marrë ftesë nga protokolli i shtetit.
“Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër.
Nuk mund ta di se si ka vepruar protokolli i shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtet-formuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se nga selia e LDK-së është informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së, mirëpo jo edhe për të.
“Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndetësore, do të ishte e padiskutueshme. Çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne”, ka shtuar ai.
Për mosmarrje të ftesës ka reaguar edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubço Georgievski.
Ai ka thënë se është turp i madh për shtetin e Kosovës që nuk ka ftuar delegacion maqedonas në shënimin e 20 vjetorin të hyrjes së NATO-s në Kosovë. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se roli i Maqedonisë gjatë luftës në Kosovë ishte i rëndësishëm.
“Me rastin e kremtimin të 20-vjetori të hyrjes së NATO-s në Kosovë, siç vura re, nuk kishte delegacion nga Maqedonia. Është turp i madh për Kosovën dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Injorimi i Maqedoninë dhe rolit të saj dhe mbështetjes së plotë logjistike ndaj ndërhyrjes së NATO-s, krizës së refugjatëve dhe pasojave që kishte në vendin tonë. Dhe e fundit: vendimi që vetëm përmes Maqedonisë të futen në ofensivë tokësore. Më pas na e kthyen me agresion ushtarak”, ka shkruar Ljubço Georgievski në profilin e tij në Facebook.
Koha.net ka telefonuar zyrtarë të presidencës për të marrë përgjigje rreth organizimit mirëpo ata kanë thënë se përgjegjëse për organizimin ishte ish-presidentja Atifete Jahjaga. Portali ka provuar të kontaktojë me këtë të fundit mirëpo kontakti me të ishte i pamundur të enjten pasdite.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...