Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.
Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës sjell vendimin që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ajo e refuzon vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan. Gjykata Kushtetuese përcakton gjithashtu se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së Manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (aktvendim i plotfuqishëm).
Kompanitë shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” i parashtrojnë kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, përkatësisht për “anulimin” dhe “revokimin” e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ato pretendojnë se vendimi është “i paligjshëm dhe antikushtetues”.
Historianët dhe autoritetet lokale në Deçan mbajnë protesta kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi se Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ata konsiderojnë se prona u takon kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, se ajo nuk ka qenë asnjëherë e Manastirit dhe se Gjykata Kushtetuese e legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’ia dhurojë pronën Manastirit. Njëkohësisht, Kisha Ortodokse Serbe ka shfaqur shpresën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxjerr “Vendimin për papranueshmëri” lidhur me kërkesat për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, të cilat janë dorëzuar nga kompanitë shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”. Gjykata Kushtetuese thekson se “një veprim i tillë juridik nuk lejohet apo autorizohet në asnjë mënyrë, me asnjë dispozitë të Kushtetutës, Ligjit apo Rregullores së Punës”. Konstatohet se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vlerësojë, shfuqizojë, rishikojë dhe revokojë vendimet e saj përfundimtare.
Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin se pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit nuk po zbatohet. Në anën tjetër, Shoqata e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan, i jep ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 21 prill të përfshihet në zgjidhjen e kësaj çështjeje, në të kundërtën, në shenjë të pakënaqësisë me punën e institucioneve vendore, do të bllokojë rrugën që çon në Manastir. Qeveria e Kosovës porosit që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet dhe se nuk ka kthim prapa.
Vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, të cilat kanë nisur në vitin 2014 dhe që zhvillohen në afërsi të Manastirit të Deçanit. Kisha Ortodokse Serbe e kundërshton ndërtimin e kësaj rruge, sepse “ajo kërcënon një nga monumentet më të rëndësishme të UNESCO-s në Ballkan – Manastirin e Deçanit”. Rruga Deçan – Plavë kalon nëpër një zonë që mbrohet me ligj që nga viti 2008, me qëllim mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë.
Më 27 maj 2018 me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, autoritetet e Kosovës i pezullojnë punimet për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, përmes zonës së mbrojtur afër Manastirit të Deçanit.
Ndërkaq, më 14 gusht 2020, kanë rinisur punimet për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, gjë që kundërshtohet ashpër nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kërkon që të ndalen punimet për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, të cilat ndikojnë në veçanti në zonën e Manastirit të Deçanit. Të njëjtën ditë, komandanti i misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjenerali Micele Risi, viziton zonën e mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit. Ai bisedon me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe me igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, për gjetjen e zgjidhjes për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë.
Këshilli për zbatim dhe mbikëqyrje, i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, miraton një marrëveshje për ndërtimin e një “bypass-i” (anashkalimi) rreth zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit, me çka edhe zgjidhet kontesti rreth ndërtimit të rrugës magjistrale në relacionin Deçan – Plavë.
Në një komunikatë të përbashkët për media, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë (vendet e Quint-it) kërkojnë nga Qeveria e re e Kosovës që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bën thirrje për dialog me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Në letrën dërguar igumenit të Manastirit të Deçanit, ai shpreh dëshirën për ta vizituar Manastirin. Nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe thonë se bisedimet do të mund të zhvillohen vetëm kur të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i takojnë Manastirit të Deçanit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxjerr “Vendim për mosekzekutim të aktgjykimit”, ku thuhet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është ekzekutuar. Bëhet fjalë për vendimin që Manastiri i Deçanit është pronar i mbi 24 hektarëve tokë dhe pyll. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Crammon, thotë se “toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë thelbi i një shoqërie multietnike”. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ajo i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse “sundimi i ligjit nënkupton trajtimin e barabartë të të gjithëve”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se pajtohet plotësisht me deklaratën se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 është duke u vonuar. “Zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga përpara”, shkruan Rohde, duke u përgjigjur në deklaratën e publikuar nga Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës, thotë se Kisha Ortodokse Serbe pret që autoritetet e Kosovës ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e 24 hektarëve tokë dhe pyll për Manastirin e Deçanit.
Reagimi i fundit rreth rastit të Manastirit erdhi më 30 nëntor 2021 nga QUINT-i.
Shtetet e Quint-it shprehin shqetësimin e tyre lidhur me moszbatimin e vendimit, sa i përket tokës së Manastirit të Deçanit, duke thënë se mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e gjyqësorit të pavarur.
“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike, të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Quint-i e fton Qeverinë e Kosovës që t’i lërë anash mospajtimet politike dhe “t’i përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike”, si dhe “t’i zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”. /REL/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...