Mali i Zi nga sot edhe zyrtarisht bëhet shteti i 29-të anëtar i NATO-s. Eksperti dhe analisti i çështjeve ushtarake Naim Maloku i tha Radio Kosovës se nga sot kufiri i Kosovës me Malin e Zi, kthehet në një kufi të një shteti anëtar të NATO-s dhe nga sot Mali i Zi do të flasë ndryshe lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit, e cila ka mbetur një çështje e hapur me Kosovën.
Ndonëse një shtet i vogël me 620 mijë banorë dhe më një ushtri aktive prej 2000 ushtarësh, Mali i Zi prej sot bëhet vendi i 29-të anëtar i NATO -s.
Sidoqoftë, Mali i Zi konsiderohet një vend me pozitë mjaft të mirë gjeostrategjike në Adriatik dhe pas anëtarësimit në NATO, i gjithë rajoni i Detit Adriatik do të jetë nën mbikëqyrjen e Aleancës Veri-Atlantike.
Eksperti dhe analisti i çështjeve ushtarake Naim Maloku i tha Radio Kosovës se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi të madhe për sigurinë e Ballkanit, sidomos për faktin se me këtë bie ndikimi rus në rajon:
“Për Ballkanin kjo do të thotë shumë për shkak se ndikimi rus përmes Serbisë në Adriatik praktikisht bie. NATO, në fakt, e merr nën kontroll gjithë Mesdheun me përjashtim atë asaj pjese të Sirisë që mbahet nga trupat e aleatit rus, Asad. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka shumë rëndësi të posaçme për forcimin e sigurisë së rajonit në tërësi”, thotë Naim Maloku.
Ndryshe, duke filluar nga sot, kufiri i Kosovës me Malin e Zi kthehet në kufi të Republikës së Kosovës me një vend të NATO-s. Parlamenti i Kosovës nuk e ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi, për shkak se opozita ka kundërshtuar me arsyetimin se një pjesë e Kosovës me këtë marrëveshje, i jepet Malit të Zi.
Sipas ekspertit Naim Maloku, nga sot Mali i Zi do të flasë ndryshe lidhur me çështjen e demarkaciont të kufirit, e cila ka mbetur një çështje e hapur:
“Të gjitha partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës si dhe qeveria, janë fajtor për çështjen e demarkacionit. Partitë në pushtet dhe Qeveri për shkak se nuk kanë dashur të marrin parasysh vërejtjet e opozitës, dhe opozita për përdorimin e gazit lotsjellës. Prej sot, kufiri i Kosovës me Malin e Zi është kufi i Kosovës me NATO-n. Dhe prej sot, le ta mbajnë mend partitë politike shqiptare, ato në pozitë dhe opozitë, që e sollën Kosovën në këtë gjendje, se Mali i Zi nuk ka për të folur më me Kosovën me fjalorin që e ka pasur para 5 qershorit 2017”.
Ceremonia zyrtare e pranimit të Malit të Zi në NATO, zhvillohet sot në Uashington, ndërsa të pranishëm në ceremoni do të jenë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Shannon si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Anëtarësimi i Mali të Zi në NATO është miratuar nga Parlamenti i këtij vendi më 28 prill të këtij viti. Opozita proruse kishte bojkotuar seancën në këtë ditë. NATO, ftesën zyrtare për anëtarësim Malit të Zi ia kishte bërë më 2 dhjetor të vitit 2015, kurse protokolli i anëtarësimit është bërë më 19 maj të viti të kaluar.
Kundërashtari më i madh i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është Rusia, e cila kishte bërë disa herë përpjekje të bindë Malin e Zi të mos bëhej pjesë e NATO-s, por këto përpjekje kishin dështuar.
Moska zyrtare vazhdimisht ka kritikuar Aleancën se po zhvendos trupa të mëdha ushtarake në kufi me Rusinë, kurse i ka bërë me dije NATO-s se është edhe kundër anëtarësimit të vendeve si Ukraina, Gjeorgjia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedoni dhe Kosona në NATO.
Paralajmërimet e Rusisë, ndërkaq, nuk janë përfilluar asnjëherë nga Aleanca veratlantike, e cila përkundrazi ka mbështetur dhe ka inkurajuar këto vende për tu bërë pjesë e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...