Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë

13:36 | 7 Maj 2022
L G

Sot një një konferencë për media në Prishtinë janë shpalosur ofertat turistike të Malit të Zi për sezonin veror 2022.

Gzim Hajdinaga, drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, tha se edhe pse vitin e kaluar ishte pandemi, kosovarët nuk e kanë harruar Ulqinin.

“Presim që edhe këtë vit kosovarët të vijnë në Ulqin, gjithëherë janë të mirëpritur, ka biznese nga Kosova që kanë veprimtari në Ulqin” tha ai.

Hajdinaga ka paralajmëruar se së shpejti Kosova do të vizitohet nga presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Ai përmendi se pozitive për Ulqinin është se kryeministri i tashëm në Mal të Zi Dritan Abaziviq është nga Ulqini. Sipas tij Ulqini është më i lirë se Kosova, ndërsa është konkuruese edhe për Shqipërinë.

Ndërsa Fuad Llunji, Kryetar i shoqatës të Hoteleve dhe Apartamenteve të Ulqinit, ka falënderuar kosovarët që për çdo vit vizitojnë Ulqinin. “Mbas pushimeve të majit, në Ulqin mbizotëron një̈ atmosferë plot shpresë. Edhe kësaj here, arsyeja për këte janë̈ mysafirët nga Kosova dhe diaspora. Më lejoni që në emrin e pronarëve të hoteleve dhe apartamenteve të Ulqinit, qytetarëve të Ulqinit dhe gjithë̈ afaristëve të Komunës së Ulqinit t’ju shpreh falënderimet më të sinqerta duke pasur parasysh që edhe këtë vit si çdo vit, vizitat tuaja në viset tona nuk kanë munguar gjatë festave të Majit pavarësisht prej rrethanave të këtij viti”, tha ai.

Sipas tij Evropa gjendet në një situatë jo të mirë. “Mund të themi që Ulqini si destinacion përsëri do të bëje të pamundurën që të jetë në shërbim të turistëve. Ulqini po zhvillohet si destinacion turistik evropian por gjithmonë me çmime të arsyeshme, ofertë turistike të avancuar, mikpritje tradicionale dhe shërbime bashkëkohore. Po ashtu mund të them se në Ulqin turistët mund të ndjehen të sigurt dhe të mbrojtur ashtu si ndihen në vendin e vet, në veçanti, turistët nga Kosova që kanë vend të posaçëm për ulqinakët”, tha ai.

Hysen Sogojeva, Kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, tha se Ulqini ka qenë pikë për turistët e Kosovës.

Edhe Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, tha se duhet të rritet bashkëpunimi, por jo vetëm në sezonin veror.
“Turizmi mes dy vendeve të zgjerohet për 12 muaj” tha Hoti.

Ndryshe Mali i Zi i ka hequr të gjitha kufizimet për hyrje në këtë shtet që kanë qenë më parë nga pandemia Covid19.

Vitin e kaluar është nënshkruar marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi./rtk

Të ngjashme