Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Pandeli Majko, ka rrëfyer detaje nga ajo kohë.
Në televizionin A2CNN, ai pranoi se ka pasur kërkesa që shqiptarët e Kosovës të largoheshin sa më larg, por se ai kishte thënë jo.
“Ka pasur propozime që (shqiptarët e Kosovës) të largoheshin, që të shkonin në drejtim të Kanadasë dhe të Australisë. Përgjigja ka qenë e prerë ‘jo’. Unë e kisha të kuptueshme, madje edhe shumë faktorë që shqiptarët i kishin në krah, se nëse do të ndodhte kjo, do të nënkuptonte zbrazje të Kosovës, dhe kthimi pastaj do të ishte një problem i një natyre krejtësisht tjetër”, deklaroi ish-kryeministri Majko.
Tutje, ai foli edhe për operacionin “Patkoi” të Serbisë, që kishte për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova, dhe i cili shërbeu për nisjen e bombardimit të Jugosllavisë nga NATO. Ai tha se ky ishte një plan i Sllobodan Millosheviqit për të destabilizuar Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.
Ish-kryeministri shqiptar tha se ky operacion s’ishte dosido, pasi Beogradi synonte një skenar të ngjashëm me Bosnjën, me një valë të paprecedentë emigrantësh, duke shkaktuar një krizë humanitare që do të prekte edhe Greqinë e Italinë.
“Ajo që quhet operacioni ‘Patkoi’ nuk ishte dosido. Plani ishte goxha i sofistikuar. Ideja ishte që kalimi i shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri do të destabilizonte komplet situatën dhe do ta linin vendin pa drejtim për shkak të mos menaxhimit të saj. I njëjti version supozohet se do të ndodhte në Maqedoni dhe kjo do të nxirrte një frustrim evropian, pasi supozohej se turmat e refugjatëve do të sulmonin me varka Italinë. Italia kishte një qeveri shumë të fragjilizuar, një koalicion shumë delikat dhe kishte një ministër, i cili në marrëdhëniet me shqiptarët ishte thuajse në kufijtë e poshtërsisë”, deklaroi Majko.
“Do të çekuilibronin komplet situatën në rajon dhe Millosheviqi do të bëhej mbret i situatës. Pak a shumë, pritshmëria ishte që të kishte një gjysmë-Bosnje por shumë herë më të ndërkombëtarizuar, pasi do të përfshihej Italia e Greqia. Një pjesë e refugjatëve supozohej se do të shkonin nga Maqedonia në drejtim të Greqisë. Numri i refugjatëve të Kosovës në Shqipëri arriti në 700 mijë vetë dhe ne thamë se jemi të gatshëm të presim deri në 1 milion. Besoj se ishte vendimmarrja më e drejta e jona dhe bëmë detyrën, ta themi troç”, deklaroi Majko.
Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Patkoi”, ushtria Jugosllave dhe policia serbe në fillim të vitit 1999 “në një mënyrë të organizuar, me përdorim të konsiderueshëm të burimeve shtetërore” zhvilloi një fushatë të gjerë dhune kundër civilëve shqiptarë për t’i dëbuar ata nga Kosova dhe për të mbajtur kështu kontrollin politik të Beogradit mbi Kosovë.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...