Brenda disa javësh dy operatorët ilegalë të Serbisë të cilët funksionojnë në territorin e Kosovës, kryesisht në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, pritet të shuhen.
Ndërkohë, operatori i tretë i cili po ashtu kishte operuara ilegalisht, tanimë është i regjistruar dhe funksionon në bazë të licencës së përkohshme dhe të kufizuar në Kosovë.
Kështu bëjnë të ditur përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Kryetari i bordit të këtij mekanizmi, Kreshnik Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga marrja e kodit shtetëror nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), kanë nisur detyrat dhe obligimet që janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe me legjislacionin në fuqi.
“Marrëveshja për telekomunikacionit përveç kushtit për ndarjen e kodit shtetëror, ka pasur edhe një obligim tjetër për lejimin e operimit të kufizuar dhe të përkohshëm të një operatori në pjesë të caktuar të territorit të Kosovës”.
“Operatori MTS. d.o. nga data 15 dhjetor 2017 ka filluar të operojë legalisht në bazë të licencës së përkohshme dhe të kufizuar në Kosovës. Po ashtu kemi edhe dy operatorë tjerë që kanë vepruar ilegalisht në Kosovë të cilët janë zotuar dhe kanë filluar të bëjnë tërheqjen e tyre të plotë. Data e fundit e tërheqjes së tyre është data 1 maj 2017”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, sa i përket procedurave tjera të zbatimit të kodit shtetëror të Kosovës +383, Gashi ka theksuar se në përputhje me marrëveshjen e telekomunikacionit kanë përgatitur planin e kalimit të tre kodeve që përdoren aktualisht, në kodin e ri +383.
“Në përputhje me planin e veprimet dhe Marrëveshjen e Brukselit të arritur për telekomunikacion është vendosur afati përfundimtar i kalimit të këtyre kodeve në kodin 383. Afati përfundimtar është 18 muaj nga data e publikimit në ITU, që i bie të jetë 15 qershori i vitit 2018”, ka thënë Gashi.
Aktualisht në Kosovë dhe deri në qershor të vitit 2018 do të jenë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).
Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se operatorët kanë hapur numeracionin +383 dhe se ka filluar pranimi i thirrjeve ndërkombëtare me këtë kod.
Për hapjen e këtij numeracioni, Latifaj thotë se iu janë adresuar të gjithë operatorëve nëpër botë dhe se deri më tani këtë numeracion e kanë hapur një numër i madh i operatorëve në botë.
“Pra po vazhdon globalizimi i kodit 383 tek operatorët e tjerë, por kemi parasysh që është një proces global ku të gjithë operatorët në gjithë botën duhet të hapin numeracionin +383 me destinacion Kosovën dhe në atë rast vendoset edhe tarifa për destinacionin e caktuar, pra është një proces që merr kohë”, thekson Latifaj.
Faza e dytë e zbatimit të kodit +383, ka shtuar Latifaj, nënkupton ndërrimin e sim kartelave dhe sipas tij, kjo fazë pritet të ndodhë nga janar i viti 2018 deri në muajin qershor.
“Ndërrimi i sim kartelave do të afektojë të gjithë konsumatorët. Deri atëherë, ne jemi duke i bërë përgatitjet teknike për të mundësuar ndërrimin e sim kartelave. Kjo nënkupton që duhet të bëhen investime shtesë në platformat tona. Po ashtu një komponent i rëndësishëm është roamingu. Është një proces që merr kohë, që është duke lëvizur me një ritëm të dëshirueshëm”, thotë ai.
Kosova mori kodin shtetëror +383 më 15 dhjetor të vitit të kaluar.
Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha.
Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...