Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ketë rol qendror në dialogun midis Kosovës e Serbisë.
“Roli i BE-së duhet të mbetet qendror, sepse kjo mosmarrëveshje është sfidë e sigurisë evropiane dhe sepse sikurse Kosova edhe Serbia kanë synim integrimin në Bashkimin tonë““, ka thënë Macron, në një letër urimi për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Presidenti francez ka thënë se dialogu mund të rinisë në një samit që do të mbahej në Paris, në organizim të Francës dhe Gjermanisë.
“Prej më shumë se një viti, Franca dhe Gjermania janë angazhuar për rifillimin e dialogut, i cili do të mund të fillonte gjatë një samiti të ardhshëm në Paris“, ka thënë ai.
Macron ka thënë se dialogu duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht obliguese për palët.
Presidenti i Francës, në urimin e tij, ka thënë se në Kosovë duhet të bëhen “reforma thelbësore“ për konsolidimin e shtetit të së drejtës, për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit dhe për zhvillimin ekonomik e spcial të vendit. Ai ka premtuar mbështetjen e vendit të tij për këto reforma.
“Franca do t’ju mbështesë në këto reforma në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe përafrimit evropian të venit tuaj“, ka thënë Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Urimi i plotë i Presidentit Macron (sipas përkthimit të kabinetit të Kryeministrit Hoti):
Në emrin tim dhe në emër të popullit francez, ju dërgoj përgëzimet e mia të sinqerta dhe urimet e mia më të mira për sukses në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të reja si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Franca, e cila ishte vendi i dytë që njohu Kosovën si shtet të pavarur, një ditë pasi ajo e shpalli pavarësinë, dymbëdhjetë vjet më parë, ka qëndruar në anën e saj që nga ajo kohë.
Unë do të doja t’ju shpreh gjithë solidaritetin tim dhe atë të popullit francez me popullatën kosovare të sprovuar po ashtu nga pandemia COVID-19. Duke mobilizuar më shumë se 3 miliardë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar këtë krizë të paparë, Bashkimi Evropian ka treguar përkushtimin e tij të plotë për rajonin tuaj.
Qeveria juaj e merr detyrën në një moment kyç për Kosovën. I takon asaj të ndërmarrë reforma thelbësore: konsolidimin e shtetit të së drejtës, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Franca do t’ju mbështesë në këto reforma në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe përafrimit evropian të venit tuaj.
Ju takon po ashtu juve të përballeni me një sfidë tjetër thelbësore për Kosovën duke rifilluar dialogun me Serbinë dhe duke rikërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese.
Prej më shumë se një viti, Franca dhe Gjermania janë angazhuar për rifillimin e dialogut, i cili do të mund të fillohej gjatë një samiti të ardhshëm në Paris. Unë besoj në pjesëmarrje tuaj në këtë samit dhe në gatishmërinë tuaj për të marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur rifillimin e dialogut, ndërkohë që Serbia gjithashtu do të duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.
Sapo të rifillojë dialogu, i takon ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian të mbështesë përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje. Roli i BE-së duhet të mbetet qendror, sepse kjo mosmarrëveshje është sfidë e sigurisë evropiane dhe sepse sikurse Kosova edhe Serbia kanë synim integrimin në Bashkimin tonë. Përfaqësuesi i lartë Josep Borrell dhe përfaqësuesi i ri special Miroslav Lajçak, gëzojnë besimin tim të plotë për të udhëhequr këtë ndërmjetësim.
Duke shpresuar që t’ju takoj së shpejti dhe duke ripërtërirë urimet e mia më të mira për suksese në përgjegjësitë tuaja të reja, ju lutemi të pranoni zoti Kryeministër sigurinë e vlerësimit tim shumë të lartë.
Me respekt, Emmanuel Macron/illyria/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...