LVV për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë: Pa reciprocitet e me huti, kjo është qeveria Koti

10:59 | 9 Gusht 2020
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar reagimet për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë.

Nga LVV-ja thonë se Qeveria e Kosovës, institucionet vendore në vend se të kujdesen për rendin dhe ligjin, e të sigurojnë mbrojtje për qytetarët në këto pjesë, po vazhdojnë të jenë të ngathëta, neglizhente, ta bartin përgjegjësinë te KFOR-i, e madje edhe të shfaqin mosbesim ndaj banorëve e vetë institucioneve tona, shkruan Arbresh.info.

LVV-ja kritikon Hotin që po kërkon hetime për lëvizjën e ushtrisë serbe edhe pse, sipas partisë së Kurtit, e kanë konfirmuar Policia dhe e kanë parë qytetarët e asaj zonës.

Ky është reagimi i plotë:

Pa reciprocitet e me huti, kjo është qeveria Koti

Kjo fundjavë u mbyll me lajmin se në rrugën kryesore të fshatit Karaçevë kanë kaluar 8 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të uniformuar, me helmeta dhe armë të gjata. Dëshmitarë ishin banorët të cilët edhe i fotografuan ata, por edhe ish kryetari i komunës së Dardanës, Shaip Surdulli, i cili tregoi se policia e Kosovës më vonë ia ka konfirmuar se ata janë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Nuk është hera e parë që shohim një patrullim të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Shpesh ka pasur incidente të tilla edhe në të kaluarën. Kujtojmë vrasjet dhe plagosjet në Dumnicë në vitin 2014 dhe dhjetëra raste kur është dëmtuar e vjedhur prona, e janë frikësuar e terrorizuar banorët shqiptarë të këtyre fshatrave në vijë kufitare.

Qeveria e Kosovës, institucionet vendore në vend se të kujdesen për rendin dhe ligjin, e të sigurojnë mbrojtje për qytetarët në këto pjesë, po vazhdojnë të jenë të ngathëta, neglizhente, ta bartin përgjegjësinë te KFOR-i, e madje edhe të shfaqin mosbesim ndaj banorëve e vetë institucioneve tona. Si u bë që KFOR-it, dhe askujt tjetër i takon ajo pjesë sipas marrëveshjes së Kumanovës, e ndërkohë shohim ecje të lirë e të rëndë të xhandarmërisë serbe aty, dhe askund ndonjë institucion vendor të sigurisë? Si u bë që policia e Kosovës nga vendi i ngjarjes e konfirmoi që ata janë pjesëtarë të xhandarmërisë, kurse më vonë kur pjesëtarë të policisë së Kosovës shkuan në Karaçevë nuk panë asgjë? Duhet hetim e raport i detajuar thotë kryeministri i hutuar përderisa nuk ka kurrfarë ndjeshmërie për cenimin e sovranitetit dhe jetën e sigurinë e banorëve të republikës në atë pjesë.

Ky kryeministër, që ka hequr dorë edhe nga reciprociteti me Serbinë, siç duket nuk sheh mundësi që aty ku shfaqet Serbia të ketë prani edhe Kosova. Sipas tij policia kur shkoi në vend të ngjarjes nuk pa asgjë, andaj po kërkon hetim thua se banorët e policia e Kosovës nuk kanë parë hyrje të forcave të Serbisë atje. Është koha e fundit që institucionet vendore të jenë në krye të detyrës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një ndërhyrje e tillë e xhandarmërisë është e papranueshme e po ashtu edhe indiferenca e institucioneve vendore.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme