LVV e LAA presin dështimin e PAN-it

08:33 | 12 Korrik 2017
M. A.

Lëvizja “Vetëvendosje” si dhe koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) po e presin dështimin e koalicionit PAN për ta formuar Qeverinë, në mënyrë që, siç thonë ata, t’i marrin “frerët” e ekzekutivit, shkruan sot, gazeta Zeri.

I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë ftesë për takim drejtuesve të LVV-së dhe LAA-së, por këta të fundit e kanë refuzuar ftesën e tij. Kundërshtarët politikë janë të bindur se Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë, prandaj presidenti do të detyrohet ta nominojë një mandatar të dytë.

“Ne besojmë që Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë dhe presim dështimin e tij. Po ashtu besojmë që ne jemi ata që do ta kemi shumicën dhe t’ia dalim ta drejtojmë Qeverinë e re të vendit”, ka thënë për “Zërin” Shkodran Hoti, zëdhënës në LVV.

Sipas tij, takimi i radhës LVV- LAA do të përcaktohet nga zhvillimet aktuale.“Në takimin e parë janë diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet në përgjithësi dhe nuk është bërë ndonjë diskutim më i hollësishëm.

Takimi i radhës do të jetë sapo të koordinohemi dhe varësisht nga zhvillimet”, ka thënë Hoti, duke theksuar se do ta bëjnë të pamundurën, siç thotë ai, ta materializojnë votën për ndryshim.

“Më 11 qershor u konfirmua nevoja për ndryshim dhe përkrahja e jashtëzakonshme për ne, që është thirrje urgjente që Kosova të çlirohet nga mendësia e “Pronto”-s dhe ta fillojë një qeverisje me një mendësi krejt tjetër, që angazhohet për drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e mirëqenie sociale. Ne do të përpiqemi pa ndalur që kjo të jetë e mundur”, ka përfunduar Hoti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme