LVV dhe shoqëria civile skeptikë se Kosovës mund t’i liberalizohen vizat, pengesat i shohin nga kënde të ndryshme

21:31 | 23 Shtator 2020
Arbresh.info

Edhe brenda këtij viti, nuk pritet të ketë lajme pozitive nga BE-ja, në raport me heqjen e vizave për Kosovën.

Njohësit e procesit integrues, përmendin disa arsye, si mos-luftimi i korrupsionit, e skepticizmi i disa shteteve në këtë çështje.

Mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit po shihet si njëra nga pengesat që po e lë Kosovën pa liberalizim të vizave. Prandaj, deputetja Arbreshë Kryeziu-Hyseni, anëtare e Komisionin për Integrim Evropian, nuk shpreson që mund të ketë lajme të mira në takimet e radhës të BE-së.

“Nuk është që presim se do të kemi ndonjë rezultat pozitiv për shtetin e Kosovës nga cilido takim apo mbledhje e radhës që do të mbahet në BE, pasi Kosova vazhdon të mbetet peng i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përderisa këto dyja nuk luftohen dhe nuk jepen rezultate konkrete do të jetë e vështirë të liberalizohen vizat”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arbreshë Kryeziu-Hyseni.

Edhe nga shoqëria civile po shihet me skepticizëm mundësia e liberalizimit, sidomos për faktin se nuk ka zbutje të qëndrimit nga Franca e Holanda.

“Mendoj se nuk ka shumë shenja për optimizëm. Situata brenda BE-së nuk na jep optimizëm se Kosova do të jetë në agjendën e tyre duke pasur parasysh se ato shtete po merren me valën e dytë të coronavirusit”, deklaroi Butrint Berisha nga PIPS.

E në fillim të tetorit do të publikohet raporti vjetor për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme