Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe një nga figurat kryesore të LDK-së, Lufti Haziri thotë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i hapur rrugë formimit të një qeverie nga partia e dalë e dytë në zgjedhje, është një precedent i ri në Kosovë duke theksuar se moralisht LDK ndodhet në një situatë të vështirë.
Nënkryetari i LDK-së gjatë intervistës për emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania tha se, VV ka treguar se nuk di të menaxhojë sukseset dhe kjo ishte një nga arsyet pse dështoi koalicioni.
“Mosarritja me menaxhu suksesin, është problem kronik i Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe në vitin 2017 doli parti e parë karshi koalicioneve të mëdha, por nuk arriti me menaxhu suksesin e brendshëm dhe tani nuk arriti në koalicionin me LDK, me menaxhu suksesin e kombit opozitar për më shumë se 52 ditë për shkak të gabimeve kapitale, ku z. Kurti nuk arriti me i koordinu në dy rrafshe, në rrafshin e jashtëm me partnerët kryesore, siç janë SHBA dhe në rrafshin e brendshëm në zbatim të politikave me LDK”, u shpreh kryekomunari i Gjilanit.
Sipas tij për të arritur në pushtet janë dy rrugë, zgjedhjet dhe negociatat politike në tryezë dhe në këtë pikë z. Haziri shtoi se, përgjegjësia nuk bie mbi LDK, por mbi VV pasi ka dështuar të formojë koalicion të ri.
“Nuk bie përgjegjësia mbi LDK, z. Kurti ka pasur tri oferta nga Presidenti me ndërtu shumicën e dytë parlamentare por ka refuzuar sepse nuk ka partnerë politik. Por, moralisht është e vështirë, është jashtëzakonisht e vështirë është sfiduese, karshi axhendës politike dhe karshi politikës së brendshme”, ka nënvizuar z. Haziri.
Pavarësisht se qeveria e re në votimin që iu bë në Parlament mori vetëm 61 vota, sipas tij koalicioni ka 67 deputetë. Haziri tha se ky numër votash nuk pengon miratimin e ligjeve, por problem do të jetë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare siç pritet në javët e ardhshme që të ketë me Serbinë, pasi kërkohen 2/3 në Parlament. Ai thotë se qeveria “Hoti” do ta ketë shumë të vështirë përballë VV dhe PDK, duke e cilësuar “opozitë të pamëshirshme”.
Por, ai tha se, vlerëson politikisht që z. Kurti po ndryshon metodën por jo qëllimin politik, duke e përshtatur atë me kulturën e qytetarëve të Kosovës të cilët nuk janë për protesta, të cilat mund të degjenerojnë në dhunë si dhe duke pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me qëndrimin e Vjosa Osmanit kundër formimit të qeverisë së re dhe mospjesëmarrjen në seancë për votimin e qeverisë “Hoti”, z. Haziri tha se, Vjosa duhet të vazhdojë të mbajë detyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe duhet të vazhdojë të jetë nënkryetare e LDK.
“Në kulturën tonë politike, ne nuk kemi filozofi të eliminimeve të përjashtimit apo largimit. Por, duhet të kemi koordinim mes vetes dhe nuk duhet me leju me pas perceptimin e pasqyrës, ku kemi dy pamje por që në fakt është e njëjta. Duhet të kemi një LDK”, theksoi z. Haziri duke nënkuptuar se do të votojë kundër një përjashtimi të mundshëm.
Nënkryetari i LDK-së tha më tej, se para nisjes së dialogut me Serbinë do të hiqen të gjitha masat e reciprocitetit, pasi nuk mund të ketë negociata me kushte.
Ndërsa i pyetur nga gazetari, Franko Egro nëse LDK do të votojë një marrëveshje që përfshin shkëmbimin e territoreve, ai u përgjigj: “Parimi i territoritetit, kushtetutshmëria dhe sovranitetit apo shkëmbimi i territoreve nuk pranohen për LDK-në dhe si të tilla janë tashmë të definuara dhe politikisht dhe në platformën e qeverisë për bisedimet me Serbinë”, tha z. Haziri.
Ai parashikon negociata të vështirë duke thënë se, bëhet fjalë një 110 vite luftë mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar formati i negociatave duke shtuar se, LDK kërkon që bisedimet të udhëhiqen nga qeveria dhe jo nga Presidenti siç ka ndodhur deri tani.
Xuxi: Për nga profesioni, më së shumti kishte hoxhallarë në ...
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton