Lutfi Haziri bën betimin si kryetar i Gjilanit

13:57 | 22 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kuvendi Komunal në Gjilan sot mbajti mbledhjen e vet themeluese, në këtë mbledhje dhanë betimin 35 anëtarë të përbërjes së re të Kuvendit Komunal si dhe kryetari i zgjedhur i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Me këtë rast, Lutfi Haziri ka mbajtur edhe një fjalë rasti, ku pasi është falënderuar për besimin e dhënë nga qytetarët që t`i prijë Gjilanit për katër vjet të tjera, ndër të tjera ka premtuar se edhe në këtë mandat do të punojë me përkushtim dhe në frymën e barazisë me të gjitha subjektet politike, pa dallim, duke e vendosur interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër.

“Ne e kemi për detyrë ndaj njerëzve tonë, qytetit tonë dhe shtetit tonë që të punojmë në parimin e barazisë dhe parimin e urtësisë, duke integruar barazinë e partive politike, barazinë e gjinore, barazinë e grup-moshave, barazinë e grupeve sociale, barazinë para ligjit dhe para zotit”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka premtuar bashkëpunim dhe transparencë me Kuvendin Komunal, për të luftuar çdo tendencë të tillë dhe çdo anomali në shoqërinë tonë ta largojmë, që të vazhdojmë të jemi shembulli më i mirë i përfaqësimit qytetar dhe përfaqësimit institucional, duke punuar bashkërisht për një Gjilan më të mirë se sa është sot.

Haziri ka përmendur edhe sfidat që e presin këtë Kuvend Komunal dhe qeverisjen komunale në mandatin e ri. “Kemi sfida jashtëzakonisht të mëdha për të luftuar çdo lloj krimi, çdo lloj korrupsioni, çdo tendencë korruptive që është kancer dhe sëmundje e shoqërisë tonë”.

“Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë, pa dallim etnie, feje apo partie politike, me gjithë këta përfaqësues të komunave në këtë mikro-regjion ma 17 komuna, me mbi 100 këshilltarë

komunalë, që ta zhvillojmë regjionin tonë, ta zhvillojmë qytetin tonë, për një mundësi më të mirë të integrimeve dhe zhvillimit të përbashkët. ”. shtoi Haziri

Ndryshe , Kuvendi Komunal i Gjilanit ka gjithsej 35 këshilltarë që përfaqësojnë 9 subjekte politike në këtë Komunë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme