Google ADS

Lushaku Sadriu: Mësimi gjithëditor është mirëpritur nga prindërit

18:16 | 22 Gusht 2024
E.G

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, ka bërë të ditur se reforma e mësimit gjithëditor për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën është mirëpritur me entuziazëm nga shumica e prindërve.

Sipas saj, 90% e prindërve e kanë mbështetur këtë iniciativë, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve të tyre. Ajo theksoi se ka një përqindje shumë të vogël të prindërve që shfaqin dilema rreth realizimit të plotë të kësaj reforme, por sipas saj në përgjithësi ideja është përkrahur gjerësisht si një praktikë e dëshmuar ndërkombëtare.

“Realizimi i suksesshëm i kësaj reforme kërkon një funksionim të mirë të trekëndëshit shkollë-prind-arsimtar”, tha Lushaku Sadriu gjatë një interviste në emisionin “Info Plus”

Ajo shtoi se është thelbësore që të ketë një bashkëpunim të ngushtë midis prindërve dhe shkollës, si dhe një motivim të jashtëzakonshëm të stafit mësimdhënës për ta bërë këtë reformë të suksesshme.

Komuna e Prishtinës, sipas saj, ka ndërmarrë masa për të përmirësuar kushtet në shkolla, duke rinovuar ambientet shkollore dhe duke pajisur çdo klasë me tabela digjitale.

Kjo, sipas drejtoreshës, ka për qëllim të avancojë mësimdhënien dhe të sigurojë që mësimdhënësit të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për të përdorur metodologjinë më bashkëkohore në orët e tyre mësimore.

“Krejt çka na duhet është motivimi i mësimdhënësit që t’i funksionalizojë ato dhe t’i përdor për çdo njësi mësimore. Ta lëshojë një video që i simulon për nxënësit më mirë në njësinë mësimore që ai është duke e shpjeguar”, tha ajo.

Drejtoresha gjithashtu vuri në dukje se kjo reformë nuk është çështje politike dhe se kushdo që udhëheq me kryeqytetin apo me arsimin, si rruga për të arritur deri te cilësia është përmes mësimit gjithëditor. Sipas saj, zgjatja e orarit mësimor është e nevojshme në bazë të krejt rekomandimeve ndërkombëtare.

Reforma parashikon që mësimi gjithëditor të zbatohet për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Për të siguruar implementimin e saj, është planifikuar që pjesa e shkollës fillore të mbetet në objektin bazë, ndërsa nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën të ndjekin mësimin në shkolla të tjera më të përafërta.

“Shkollat ‘Faik Konica’ dhe ‘Xhemajl Mustafa’ do të transferohen në objektin e deritashëm të ‘Xhevdet Dodës’, me dy orare, ndërsa gjimnazi ‘Xhevdet Doda’ është zhvendosur në ish-gjimnazin Matematikor, i cili është rinovuar dhe digjitalizuar”, ka theksuar Lushaku Sadriu.

Të ngjashme