Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, njëherit edhe raportuese për Kosovën në këtë parlament, u kërkon partive të Kosovës që të formojnë shpejt një qeveri të re me frymën evropiane.
Ekskluzivisht për arbresh.info ajo ka uruar për qytetarët e Kosovës dhe partitë politike për këto zgjedhje duke i vlerësuar “në përgjithësi të organizuara mirë dhe funksionale.”
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte i suksesshëm në organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë të shkurtër kohore. Gjithashtu deklaroj me kënaqësi se shumica e procesit ka ndodhur në një atmosferë paqësore,” është shprehur Lunaçek.
Sipas saj, kjo është inkurajuese për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës.
“Po ashtu mirëpres pjesëmarrjen në rritje të komunitetit serb të Kosovës si shenjë pozitive të angazhimit të tyre të mëtejshëm me institucionet e vendit, megjithëse akte të ndryshme të frikësimit ndaj kandidatëve të komunitetit serb të Kosovës në konkurrencë me Listën Srpska.”
Ajo thekson se “sot puna për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj duhet të fillojë përsëri,” duke bërë një thirrje për përfaqësuesit politik, shkruan arbresh.info.
“Prandaj i bëj thirrje partive të Kosovës që të formojnë shpejt një qeveri për të trajtuar sfidat e ndryshme dhe për të vazhduar rrugën e Kosovës në BE.”
Qeveria e ardhshme, sipas saj, duhet të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe sociale, si dhe të punojë më shumë në arsim dhe shëndetësi.
“Kjo është ajo që qytetarët kërkojnë! Kjo është ajo që miqtë e Kosovës në BE duan për qytetarët e Kosovës.”
Ish-qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë humbur shumë kohë gjatë viteve të fundit, vlerëson Lunaçek, duke shtuar se dy standardet e mbetura për liberalizimin e vizave mund dhe duhet të përmbushen së shpejti nga Kosova.
“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi është një domosdoshmëri si rekordi i përmirësuar i bindjeve të nivelit të lartë për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Qeveria e ardhshme duhet të sigurojë një rezultat të mirë të këtij procesi të liberalizimit të vizave në mënyrë që të hapë rrugën për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur,” thotë Lunaçek për arbresh.info.
Ajo ka paralajmëruar se këtë javë Parlamenti Evropian do të miratojë gjithashtu raportin e saj për përparimin e Kosovës drejt BE.
“Ky votim do të dërgojë edhe njëherë një sinjal të fortë se e ardhmja e një Kosove të pavarur qëndron në Bashkimin Evropian. Partitë dhe politikanët e Kosovës janë të nxitur që t’i përgjigjen këtij sinjali nga pala e PE në një mënyrë konstruktive dhe frymës evropiane.”/arbresh.info/
Gjendet pa shenja jetë një grua në Shtërpcë
Vrasja e Gjyljeta Ukellës, Edmond Lajçi dënohet me burgim të...
Vendoset gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjar...
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë