Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në Kosovë, duhet të realizojë dy kushtet e domosdoshme për liberalizimin e vizave, thotë në intervistën ekskluzive me DW, Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme për Kosovën.
Deutsche Welle: Zonja Lunacek, çfarë prisni nga zgjedhjet e ardhshme në Kosovë?
Ulrike Lunacek: Unë pres që të gjithë kandidatët, pavarësisht përkatësisë partiake apo në koalicione, gjatë fushatës të bëjnë të qartë se edhe më tej do të ndjekin rrugën e integrimeve evropiane. Na radhë të parë pres që menjëherë pas zgjedhjeve të plotësojnë dy kushtet kryesore për liberalizhimin e vizave, sepse kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë shpresoj që edhe fushata do të kalojë në një atmosferë të qetë dhe bashkëpunimi, të mos ketë kërcënime apo akte të dhunshme. Në të kaluarën kemi pasur zgjedhje shumë të qeta në Kosovë, ndaj shpresoj që kështu do të jetë edhe kësaj radhe.
DW: Ju keni vëzhguar edhe vetë zgjedhjet e mëparshme parlamentare në Kosovë, ndaj e dini se cila është atmosfera atje. Sa e kënaqur jeni me fushatën deritanishme?
Ulrike Lunacek: Sa kam mundur të përcjell, përgatitjet kanë kaluar mirë. Listat zgjedhore janë pastruar dhe janë hequr personat e vdekur. Shpresoj që kjo është bërë në tërësi. Unë mendoj se është shumë me rëndësi që të mos jepen premtime të cilat nuk mund të realizohen. Kosovarët nuk e meritojnë që t’u premtohet mjaltë e sheqer apo parajsa, sepse ata tanimë e dinë shumë mirë se cilat gjëra mund të realizohen e cilat jo. Ata e dinë shumë mirë se cilat gjëra janë reale e cilat jo. Ndaj dëshiroj që kandidatët të mos premtojnë gjëra të kota.
DW: Për cilat kushte e keni fjalën konkretisht, sepse Kosova duhet të plotësojë shumë kushte në rrugën e saj drejt integrimit në BE?
Ulrike Lunacek: Dy kushtet janë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje për demarkacionin e kufirit kanë rënë dakord dhe e kanë nënshkruar kryeministri dhe përfaqësuesit e LDK dhe PDK, në Vjenë më 25 gusht 2015. Kushti tjetër është dënimi i personave me funksione të larta të përfshirë në krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra nuk mjafton vetëm hapja e proceseve, por kërkohet edhe dënimi i tyre. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është pra një prej dy kushteve. PDK dhe LDK të cilat tani janë në lista me parti të tjera, e kanë nënshkruar këtë marrëveshje në vitin 2015. Ato duhet t’u thonë qartë partnerëve në koalicione se ky kusht duhet të plotësohet dhe që marrëveshja të ratifikohet.
DW: Por në Kosovë ekziston edhe një subjekt tjetër i fuqishëm, Lëvizja Vetëvendosje, e cila pretendon se do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk do t’ju pyes për vlerësimet se kush do të fitojë, sepse e di që nuk do të prononcoheni, por më thoni shkurt: a është me rëndësi për Bashkimin Evropian se kush do t’i fitojë këto zgjedhje?
Ulrike Lunacek: Unë me siguri që nuk do të jap sugjerime se për kë duhet të votohet, por unë, Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe të gjithë në Bashkimin Evropian duan që zgjedhjet të kalojnë në një atmosferë paqësore dhe që drejtuesi i ardhshëm i qeverisë të ndjekë rrugën e integrimeve evropiane. Ju kujtoj se këtë javë në Bruksel është vendosur që Kosova të futet në programet e BE, që është shumë me rëndësi për shkëmbimet kulturore, për arsimin në Kosovë dhe për ekonominë e këtij vendi. Shpresoj që Kosova do të ketë një qeveri stabile me një shumicë të duhur në Parlament, e cila mund të sigurojë zbatimin e detyrimeve kryesore të këtij vendi. Vetëm një qeveri e tillë e cila i plotëson kushtet e parapara, mund të sigurojë edhe liberalizimin e vizave.
DW: Kur jemi tek lieralizimi i vizave: ka dhe parti politike që premtojnë heqjen e shpejtë të vizave, përmenden madje edhe afate të caktuara. Sa seriozisht mund të kuptohen premtimet e këtilla?
Ulrike Lunacek: Për këtë e kisha fjalën në fillim kur thashë se nuk duhet të jepen premtime që nuk mund të realizohen. Votuesit shpesh përballen para zgjedhjeve me premtime të cilat nuk mund të realizohen. Kjo nuk është reale dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Sa më parë zgjidhet një parlament, krijohet koalicioni qeverisës, ratifikohet marrëveshja për demarkacionin dhe krijohet lista e personave të dënuar për krim të organizuar dhe korrupsion, aq më shpejt do të bëhet edhe liberalizimi i vizave. Por nuk më duket në rregull që të jepen premtime për kohën apo afatet se kur do të ndodhë kjo. Më mirë është që të thuhet qartë: po, ne do t’i kryejmë obligimet tona dhe kjo do t’i ndihmonte zgjedhësit që të kenë një situatë më të qartë.
DW: Zonja Lunacek, ju po flisni për dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, por Kosova përveç gjendjes ekonomike dhe sfidave të tjera, para vetes ka edhe dialogun me Serbinë. Disa parti në Kosovë kanë premtuar se do të kërkojnë rishikimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjet tjera me Serbinë. A është e mundur kjo dhe si e shihni ju fatin e dialogut me Serbinë?
Ulrike Lunacek: Mendoj se është shumë me rëndësi që marrëveshjet e arritura të zbatohen në mënyrë të denjë – nga Republika e Kosovës (këtu e theksoj edhe njëherë: Republika e Kosovës dhe jo dikush tjetër) si dhe Serbia. Marrëveshja duhet të zbatohet. T’ju them sinqerisht: nuk dua të dëgjoj fare për premtimet se do të ketë rinegociim apo negociata të reja për marrëveshjet e arritura. Marrëveshjet e arritura vlejnë për të dy palët – Serbinë dhe Kosovën. Ne e dimë që kanë mbetur edhe shumë gjëra që Serbia duhet t’i realizojë. Por premtimet për rishikimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura, nuk janë serioze. Kosova dhe Serbia kanë humbur shumë kohë ndaj marrëveshjet duhet të zbatohen. Pra: zbatim, zbatim zbatim!
DW: E kuptoj që nuk doni të deklaroheni për epilogun e zgjedhjeve, por personalisht, a mund të paramendoni një dialog të suksesshëm mes Haradinajt apo Kurtit me Vuçiqin?
Ulrike Lunacek: Shpresoj të më kuptoni mirë, por për këtë nuk dua të prononcohem dhe nuk dua të jap asnjë sugjerim. Për këtë duhet të vendosin zgjedhësit në Kosovë./DW
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...