Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur kolegjium me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit si dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, transmeton Arbresh.info.
Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët angazhim maksimal në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Më qellim të ruajtjes së integritetit së këtij procesi, Kryeprokurori i Shtetit ka caktuar 88 prokurorë të cilët do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor, me ç’rast ka paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë aktive dhe pa vonesë ndaj atyre që bien ndesh me dispozitat e Kodit Penal, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit dhe të gjitha format e tjera të krimit që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Ndërkaq, pjesë thelbësore e këtij takimi ishte edhe prezantimi i Planit të Punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2021, ku në mënyrë specifike janë paraqitur objektivat e përgjithshme dhe ato me prioritet, me anë të të cilave synohet avancimi i punës së institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Në këtë kontekst, Kryeprokurori Lumezi ka vënë theksin në trajtimin me prioritet të një grupi të veprave penale, veçmas luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, krimeve të luftës, krimeve kibernetike, dhunës në familje, dhunës ndaj fëmijëve dhe asaj në baza gjinore si dhe rasteve të cenimit të votës.
Po ashtu, çështje më interes të veçantë në këtë takim ishte aplikimi i ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, ku është kërkuar angazhim më i madh dhe proaktiv i kryeprokurorëve dhe prokurorëve që krahas ngritjes së akteve akuzuese të gjurmohet dhe identifikohet edhe pasuria që dyshohet të jetë fituar me anë të veprave penale.
Lidhur më këtë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga kryeprokurorët edhe zbatimin e udhëzimeve të detyrueshme, në mënyrë që të ngritët efikasiteti në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike, krimit të organizuar dhe krimeve tjera, njëkohësisht të shënohet progres në rritjen e shkallës së sekuestrimit në funksion të konfiskimit përfundimtar të aseteve të fituara me vepër penale, transmeton Arbresh.info.
Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit, ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që të avancohet llogaridhënia dhe profesionalizmi i punës së prokurorive që ata drejtojnë, të zbatohet në përpikëri rregullorja e re e vlerësimit të performancës së prokuroreve, si dhe të rritet transparenca duke komunikuar dhe bashkëpunuar me mediat dhe shoqërinë civile në mënyrë që të fuqizohet besimi i publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...