Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë pjesë në tryezën e pestë të Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë “EUKOJUST”, ku qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i Raportit për Ndarjen e pushteteve dhe Pavarësia e Gjyqësorit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeprokurori Lumezi, vuri theksin në ndarjen e pushteteve, respektimin e pavarësisë së pushtetit Gjyqësor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Duke folur për pavarësinë institucionale, Kryeprokurori i Shtetit, ka theksuar se nuk është rastësi ndarja e pushteteve dhe se kjo ndarje duhet të respektohet nga të gjithë.
“Nuk është rastësi as fakti se jemi mekanizëm i pavarur kushtetues. Ne bëjmë punën tonë. Pavarësisht nëse kjo i pëlqen dikujt tjetër apo jo. Mirëpo është jetike për një shtet demokratik dhe për një shoqëri demokratike që ndarja e pushteteve të mos figurojë vetëm si garanci kushtetuese në letër, por kjo të garantohet në praktikë dhe të respektohet plotësisht. Veprimtaria e organeve të pushtetit gjyqësor nuk mund të kontrollohet nga organet e një pushteti tjetër”, ka potencuar ndër të tjera, Kryeprokurori Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit, ka deklaruar se edhe brenda sistemit të drejtësisë ka gjëra që duhet të përmirësohen, mirëpo adresimi i tyre duhet të bëhet vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht nga pushteti gjyqësor dhe jo nga pushtetet tjera.
“Nuk pretendoj se ne nuk kemi gabime. Mirëpo gabimet që kemi, duhet të adresohen vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht nga pushteti gjyqësor. Andaj Ekzekutivi dhe Legjislativi mund të përmirësojnë punën tonë, duke na ndihmuar me përkrahje në buxhet, miratim të ligjeve dhe respektim të pavarësisë që kemi, si dhe me anë të fuqizimit të mekanizmave brenda vetë sistemit për të adresuar problemet dhe lëshimet e hasura deri më tani”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi.
Në fund, Kryeprokurori i Shtetit, shprehu gatishmërinë e tij për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet e tjera, mirëpo vetëm në suaza të mosndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit dhe duke respektuar pavarësisë institucionale dhe kushtetuese./arbresh.info/
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin