Lumezi i pakënaqur me luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike

11:30 | 16 Maj 2017
Arbresh.info

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se e konsideron shqetësues raportin tre mujor të Komisionit për mbikëqyrjen e luftimit të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Lumezi tha në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës se ky komision mbikqyrës ka obligim vetëm t’i jap të dhënat statistikore, ndërsa rekomandimet duhet t’i jap KPK-ja shkruan arbresh.info.

Sipas tij, nëse KPK konstaton se nuk ka rezultate konkrete në kryerjen e lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, atëherë duhet të merret vendim për rritjen e numrit të prokurorëve, pasi siç tha, lëndët e korrupsionit janë kusht për liberalizimin e vizave.

“Duhet t’i japim më shumë seriozitet luftës kundër korrupsionit, sepse kjo është kërkesë e ndërkombëtarëve.  Duhet të shikojmë a është e nevojshme rritja e numrit të prokurorëve në departamentin e Korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, u shpreh Lumezi.

Ai shtoi se ka vërejtje të madhe për prokurorët që mungojnë në seancat e rasteve të korrupsionit.

“Kam një vërejtje shumë të madhe sa i përket rasteve të korrupsionit. Nuk duhet që prokurori i rastit  të mungoi në seanca gjyqësore kur kemi të bëjmë me raste të korrupsionit’ u shpreh Lumezi./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme