Dje, më 23 qershor, Policia e Kosovës (PK) është paditur për diskriminim gjinor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin e parë të tillë publik që nga themelimi i institucioneve.
Luljeta Aliu, udhëheqëse e një organizate për barazi dhe drejtësi sociale, ka ngritur padi për diskriminim dhe kompensim të dëmit jomaterial prej 100,000 eurosh ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarëve policorë.
Sipas padisë, Aliut i është refuzuar nga zyrtarët policorë ta regjistrojë denoncimin ndaj bashkëshortit për shkelje të urdhrit mbrojtës të caktuar nga gjykata pasi ajo e kishte raportuar për dhunë në familje. Refuzimi është mbështetur edhe nga organet tjera të Policisë që kanë për detyrë të adresojnë ankesat, nën arsyetimin se paditësja nuk ishte veshur përshtatshëm në ditën kur ishte paraqitur në polici për ta regjistruar denoncimin.
Në padi, kopjen e së cilës e ka K2.0, thuhet se gjykata duhet “t’i mbajë përgjegjës institucionet përkatëse dhe zyrtarët e përfshirë, për shkelje të të drejtave themelore të njeriut”.
Drejtoria Rajonale e Policisë dhe Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime refuzuan ankesën e Aliut për mosregjistrim të rastit nën arsyetimin që ajo kishte veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe maicë me rripa” kur ishte paraqitur për ta bërë denoncimin, dhe që i ishte kërkuar të shkojë të vishet ndryshe.
Për ta legjitimuar vendimin e tyre, zyrtarët policorë i janë referuar “Kodit të Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare”. Por, në padi thuhet që ky dokument nuk ekziston dhe që kjo i është konfirmuar me shkrim Aliut dhe avokates së saj nga Zyra për Informim e PK-së në maj 2020.
Padia thekson se si refuzimi i regjistrimit të rastit me arsyetimin se Aliu kishte veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe maicë me rripa” është diskriminues në bazë të gjinisë.
“Trajtimi i diskriminimit gjinor te ne nuk njihet, dhe institucionet e kanë një kulturë të mosndëshkimit dhe të mungesës së transparencës”, thotë Aliu. “Kur këto bëhen bashkë me diskriminimin dhe paragjykimet që i kanë, është problem të arrihet deri te realizimi i të drejtave tua”.
Luljeta Aliu ka kontestuar vendimet e Policisë në qershor 2019 duke ngritur padi për konflikt administrativ. Foto nga Luljeta Aliu.
Ndërsa përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Rina Kika thotë se pjesa e padisë e dorëzuar dje konstaton një varg të shkeljeve që mund të përmbledhen në dy kryesore: shkelja e trajtimit të barabartë dhe shkelja e të drejtës në jetë private dhe familjare.
“Viktimat e dhunës në familje sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) konsiderohen viktima të ndjeshme dhe për këtë arsye obligimet për mbrojtjen e jetës private dhe familjare që i ka shteti janë obligime pozitive të posaçme”, thotë Kika. “Shteti duhet të ndërmarrë veprime konkrete për ta mbrojtur personin prej dhunës në familje, meqë ajo e cenon integritetin psiqik dhe fizik të personit dhe për këtë arsye nuk mund ta gëzosh të drejtën në jetë private dhe të jetosh e qetë dhe pa shqetësim nëqoftëse veçse je subjekt i asaj dhune”.
Kërkimi këmbëngulës për përgjegjësi
Padia e djeshme i është bashkëngjitur padisë së qershorit 2019 për konflikt administrativ, përmes së cilës Aliu ka kontestuar vendimet e Policisë për ta refuzuar si të pabazuar ankesën e saj ndaj një zyrtari policor.
Në shkurt të vitit 2017 ajo e kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje dhe Gjykata Themelore e Prishtinës ia kishte aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtës.
Një muaj më vonë, Aliu u paraqit sërish në stacion, kësaj here për të raportuar dhunë ekonomike dhe psiqike, që paraqet shkelje të urdhrit mbrojtës. Derisa ishte duke e denoncuar rastin, ajo përmes postës elektronike ua dërgoi zyrtarëve policorë Aktvendimin për lëshimin e urdhrit mbrojtës. Por, sipas padisë, në mometin kur zyrtari policor e mësoi emrin e bashkëshortit të saj, refuzoi ta regjistrojë denoncimin duke deklaruar që “nuk ka dhunë dhe nuk ka pasur as atëherë” dhe e urdhëroi Aliun të largohet nga stacioni policor.
Padia nënvizon që PK duhet t’i përgjigjet secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje ose shkeljes së urdhrit për mbrojtje dhe që duhet të përpilojë raport lidhur me rastin pavarësisht se a është kryer vepra apo jo.
Gjithashtu, padia e vë theksin në Procedurat Standarde të Veprimit për Hetim të Rasteve të Dhunës në Familje sipas të cilave “zyrtarët policorë marrin të gjitha masat për ekzekutimin” e tyre, dhe e kanë për obligim që në raste kur pengohet zbatimi i vendimit gjyqësor “të veprojnë me shpejtësi, sepse kjo kohë konsiderohet si tepër e rrezikshme për viktimat”.
Kika vlerëson që ky është diskriminimi i parë që ndodh në rastin e Aliut.
“Në momentin kur një zyrtar policor njoftohet për një rast të dhunës në familje ndaj një gruaje dhe nuk i ndërmerr hapat për ta mbrojtur atë nga kjo dhunë, ai përfshihet në trajtim të pabarabartë”, thotë Kika. “Kjo pasi që dhuna në familje i prek gratë joproporcionalisht ose i prek gratë për shkak se janë gra, dhe si e tillë konsiderohet dhunë në baza gjinore dhe diskriminim. Për këtë arsye konsiderohet se mosndërmarrja e masave për mbrojtjen e viktimave gra nga dhuna në familje paraqet trajtim të pabarabartë dhe tolerim të dhunës në baza gjinore nga institucionet e shtetit”.
Avokatja Rina Kika thotë se në rastin e Luljeta Aliut ka pasur diskriminim të dyfishtë.
Aliu parashtroi ankesë ndaj zyrtarit policor në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), i cili konstatoi që zyrtari nuk ka kryer vepër penale dhe e dërgoi lëndën për trajtim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Standardeve Profesionale të PK-së.
Por, Drejtoria Rajonale refuzoi ankesën si të pabazuar duke konstatuar se zyrtari policor kishte refuzuar t’ia marrë deklaratën Aliut pasi që ajo kishte pasur të veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe maicë me rripa”, dhe se rasti nuk ishte i natyrës urgjente. Sipas konstatimit të Drejtorisë, zyrtari policor i kishte kërkuar Aliut të shkojë të vishet ndryshe — duke iu referuar “Kodit të Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare” — e të vijë pastaj “të bisedojë” me zyrtarët policorë për rastin.
Sipas Kikës, diskriminimi i dytë ndodh në vendimin e Drejtorisë Rajonale sepse i referohet një dokumenti inekzistent.
“Edhe po të kishte ekzistuar ky dokument, ne e kishim kontestu për shkak se paraqet diskriminim në bazë të gjinisë”, thotë ajo. “E kanë shpikur një dokument për t’ia mohuar një gruaje denoncimin e dhunës në familje”.
Ajo shpjegon që edhe sipas vetë PK-së, në rregulloret e brendshme të policisë përcaktohen rregulla për veshjen e personelit policor, por asnjëra nga dokumentet të cilat e rregullojnë veshjen në institucionin e policisë nuk përcaktojnë rregulla për veshjen e palëve të dëmtuara — viktimave.
Për ta kundërshtuar vendimin e Drejtorisë Rajonale, Aliu parashtroi ankesë në Komisionin për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës duke renditur të gjitha veprimet e pretenduara neglizhuese të zyrtarëve të PK-së. Në ankesë thuhej se nuk është e vërtetë që zyrtari policor e ka larguar nga stacioni policor për shkak të veshjes së saj, dhe që përshkrimi i veshjes së saj nga zyrtari dhe deklarimi i tij se i ka thënë të vijë më vonë është i pavërtetë.
Megjithatë, Komisioni në përbërje prej tre zyrtarëve policorë përsëriti qasjen e zyrtarëve të shkallës së parë dhe refuzoi ankesën e Aliut.
Kika shpjegon se si vendimi i tyre vërteton atë të Drejtorisë Rajonale të Policisë, pa iu referuar askund Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe duke u mbështetur në dokument inekzistent për veshjen e palëve në institucionet zyrtare.
“Ne kemi vendosur të kërkojmë përgjegjësi individuale prej zyrtarëve policorë sepse nuk duam që ata të kalojnë pa dhënë llogari”, thotë ajo. “Nëse ke bërë shkelje drastike si në rastin e Luljetës nuk mjafton vetëm vendimi i gjykatës për ndëshkimin e institucionit. Ne po kërkojmë që me emër e mbiemër personat të përgjigjen për vendimet që i kanë marrë pa iu referuar asnjë dispozite të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna ne Familje ose Procedurave Standarde të Veprimit të zbatueshme për rastet e dhunës në familje”.
Ajo ka bërë kërkesë për qasje në dosjen e palës për të marrë një kopje të deklaratës fillestare kur Aliu kishte denoncuar bashkëshortin, por Policia nuk ka arritur t’ia sigurojë dokumentin.
“Ne e kemi një kopje të zbehtë prej Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave [në kuadër të Prokurorisë së Shtetit], prandaj kemi kërkuar që të na sigurohet kopja e deklaratës nga Policia për ta përgatitur rastin”, thotë Kika. “Kjo tregon për sjellje neglizhente të policisë dhe kryerje të pakënaqshme të detyrave prej fillimit”.
Për Aliun, trajtimi nga zyrtarët policorë përbën bllokim të plotë të të drejtave të saj, në të gjitha instancat e policisë.
“Vendimet diskriminuese kanë të bëjnë me mohimin që unë të kem qasje në drejtësi”, thotë Aliu. “Ky është diskriminim institucional prej anës së policisë. Ata vetëm e përsërisin arsyetimin — e përsërisin gënjeshtrën e njëjtë, vetëm për të ma mohuar ankesën ndaj policit”.
Rasti personal i dhunës në familje e ka bërë Aliun aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo shpreson që ky rast do të ndihmojë edhe shumë vajza e gra të dalin përpara për ta denoncuar trajtimin diskriminues gjinor që iu bëhet nga institucionet, cilatdo qofshin ato.
“Prandaj unë e bëj rastin publik, që pikë së pari të bëhet më shumë informim dhe vetëdijësim për hapat që mund të marrim për shkeljet e tilla”, thotë ajo.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...