Presidentja Vjosa Osmani këtë vit e hap kuletën me katër mijë euro më shumë se vitin e kaluar për dekorimet festive.
Presidenca planifikon të shpenzojë deri në 10 mijë euro në dekorime të Vitit të Ri.
Ky vendim i Presidencës ka shkaktuar reagime të ashpra nga deputetët e opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Ariana Musliu-Shoshi e ka cilësuar shpenzimin prej 10 mijë eurosh si një luks të pajustifikueshëm, duke theksuar se një vend si Kosova, shumë familje përballen me varfëri ekstreme, nuk mund të justifikojë një shpenzim të tillë.
“Ky vendim i Presidencës për të shpenzuar deri në 10 mijë euro për dekorime të festave të fundvitit vlerësoj se është një shpenzim i papërgjegjshëm dhe luks i pajustifikueshëm në një vend si Kosova ku mijëra familje përballen me varfëri ekstreme. Rritja prej 4 mijë eurosh nga viti i kaluar tregon shkëputjen e institucioneve nen qeverisjen Kurti nga nevojat reale të qytetarëve. Këto fonde mund të përdoren për ndihmë sociale apo projekte qe ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve. Ne asnjë mënyrë nuk duhet nga ky institucionet të neglizhohen problemet jetike të qytetarëve”, pohon ajo.
Ndërsa, në anën tjetër edhe deputeti Hisen Berisha ka shprehur shqetësim për shpenzimin prej 10 mijë eurosh nga Presidenca, duke theksuar se kjo shumë ngrit pyetje të rëndësishme për balancimin e prioriteteve në Kosovë.
Megjithatë, ai ka kërkuar një arsyetim më të detajuar për rritjen e buxhetit për këtë qëllim për katër mijë euro krahasuar me vitin e kaluar.
“Shpenzimi prej 10 mijë eurosh nga Presidenca për dekorimet e shesheve për festat e fund vitit ngre pyetje të rëndësishme për balancimin e prioriteteve në Kosovë. Ndërsa krijimi i një atmosfere festive është i rëndësishëm për qytetarët, sidomos në fund vit kur fryma e gëzimit dhe bashkimit merr rëndësi, kur në atdhe vijnë mërgimtarët të cilët mungesën e vendlindjes dhe dëshirën për ta parë sa më të bukur e kanë plagë të hapur, megjithatë rritja e buxhetit për këtë qëllim për katër mijë euro shtesë krahasuar me vitin e kaluar kërkon arsyetim më të detajuar”, shprehet deputeti i PDK-së.
Berisha thekson se në një vend që po përballet me sfida të mëdha ekonomike, përfshirë papunësinë, varfërinë dhe mungesat në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia dhe arsimi, çdo shpenzim publik duhet të bëhet me kujdes dhe transparencë maksimale.
‘Në një vend me sfida të mëdha ekonomike, përfshirë papunësinë, varfërinë dhe mungesat në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia dhe arsimi, kategoritë në nevojë siç janë specifikisht ato sociale, të luftës veteranët me invaliditet të plotë, çdo shpenzim publik duhet të bëhet me kujdes dhe transparencë maksimale. Për qytetarët që përballen me nevoja bazike, një rritje e tillë mund të perceptohet si e tepruar. Dekorimet festive janë të domosdoshme për të pasur një ambient pozitiv dhe për të promovuar solidaritetin shoqëror, por ato duhet të jenë modeste dhe të menaxhohen në mënyrë më efikase”, tha ai.
Në kuadër të kritikave ndaj shpenzimeve për dekorimet festive të fundvitit, portali Arbresh.info ka dërguar një pyetje në Presidencën e Kosovës për të sqaruar arsyet e shpenzimit të rreth 10 mijë eurove, duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe nivelin e varfërisë që ende ekziston në vend, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ndryshe, tenderi për dekorimin e ambienteve të saj, me një buxhet që arrin në rreth 10 mijë euro, parashikon zbukurimin e ambienteve zyrtare për një periudhë prej tre muajsh, duke përfshirë dekorimin e Kabinetit të Presidentes, hollit dhe oborrit të Presidencës, veçanërisht pjesës hyrëse nga Sheshi “Ibrahim Rugova”.
Përmes këtij tenderi, do të realizohet montimi dhe mirëmbajtja e elementeve dekorative të ndryshme, përfshirë bredhin artificial, gjelbërimin dekorativ, si dhe drita dekorative që do të zbukurojnë fasadën e objektit dhe ambientet e brendshme të Presidencës.
Po ashtu, parashikohet edhe montimi i një dreri dekorativ dhe drita ndriçuese në pishat e oborrit, si dhe dekorimi i “murisë së gjallë” me drita festive./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...