Koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas analistëve, kohët e fundit ka humbur koordinimin dhe ka ndryshuar balancën e brendshme.
Zhvillime të tilla, sipas tyre, mund të rezultojnë edhe me zgjedhje të parakohshme.
Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës nuk është duke punuar sipas planeve dhe strategjive, të cilat janë paraparë të realizohen dhe si pasojë, po lindin edhe mosmarrëveshjet.
“Shihet qartë se nuk ka koordinim, sepse partnerët e koalicionit që kur e kanë krijuar Qeverinë, asnjëherë nuk janë mbledhur që të shqyrtojnë platformën e tyre, rezultatet dhe ngecjet”.
“Shihet se koalicioni nuk është parimor, sepse nuk punon në bazë të strategjisë dhe planit. Ky partneritet, për mendimin tim, mund të konsiderohet i përkohshëm dhe se dy partitë që janë kryesore në vend, po përgatiten pak a shumë për zgjedhje, pra zgjedhjet e përgjithshme”, thotë Tahiri.
Liderët e partive politike në pushtet, sipas analistëve, janë vënë në garë që të marrin merita politike varësisht zhvillimeve dhe ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur dhe po ndodhin.
Gjithçka besohet se filloi me garën për merita, se kush e ndali hyrjen në Kosovë të trenit ilegal që ishte nisur nga Serbi për në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht për në Mitrovicë. Përplasjet vazhduan edhe pas procedimit të projektligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri nga ana e presidentit Hashim Thaçi.
Po ashtu, edhe deputetë nga radhët e partive në pushtet kanë dalë haptas me deklarata se zgjedhjet e reja mund të jenë zgjidhje për shkak të mosfunksionimit të duhur të koalicionit aktual.
Analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë shumë gjëra nga politikanët po bëhen vetëm për të marrë rolin kryesor dhe për të fituar pikë politike.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, me deklaratat e tyre po përpiqen që ministrat që vijnë nga partneri i koalicionit, LDK-ja, t’i zhvleftësojnë me nismat e tyre duke pretenduar se ata janë vetë bartës të ideve, siç ishte çështja e trenit të Serbisë që tentonte të hynte në Kosovë, e po ashtu edhe tash me procedimin e projektligjit për shndërrimin e FKS-së në ushtrinë e Kosovës”, konsideron Matoshti.
Çështjet madhore të koalicionit që nuk kanë arritur të kalojnë në Kuvendin e Kosovës, përfshirë posaçërisht procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që mund t’i hapte rrugën liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, kanë nxjerrë në shesh mospajtimet madje edhe në mesin e vetë anëtarëve të partive në pushtet.
Matoshi mendon se deklarimet dhe veprimet e përfaqësuesve të PDK-së janë indikacion se Kosova është duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Krerët e PDK-së janë duke vepruar për të mos i lënë asnjë një meritë partnerit të koalicionit (LDK-së) për çfarëdo qoftë, sepse ata konsiderojnë se zgjedhjet edhe mund të mbahen sivjet. Nga kjo del se Partia Demokratike e Kosovës tashmë është njëfarë lloj fushate parazgjedhore”, thekson Matoshi.
Kurse, politologu Ramush Tahiri konsideron se nuk ka nivel të duhur komunikimi ndërmjet zyrtarëve të PDK-së dhe LDK-së.
“Nuk janë komunikime normale, sepse partnerët e koalicionit duhet t’i kenë forumet e brendshme dhe jo komunikimi përmes opinionit dhe përmes animimit të qytetarëve për këtë apo atë. Qytetarëve u intereson rezultati final dhe jo përplasjes para arritjes së rezultatin final”, vlerëson Tahiri.
Kuvendi i Kosovës që prej verës së vitit 2015, nuk ka arritur që të zgjidhë çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ta shndërrojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, dhe as të çojë përpara procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Te Demarkacioni dhe Asociacioni, partitë të në pushtet janë përballur me një kundërshtim të fortë nga opozita që ka insistuar prej kohësh që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kosova gjatë fundit të këtij viti pritet të hyjë në një cikël zgjedhor të rregullt për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Ndërkaq, ato parlamentare mund të zhvillohen vetëm nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë