Në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”. Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb. Lidhur me ndërtimin e vedbanimit, që kap vlerën e rreth 14 milionë eurove, pak kush pranon që të flasë ose di të flasë.
Prishtina zyrtare thotë që nuk ka prova që ky vendbanim ka marrë lejet e nevojshme nga qeveria lokale.
Çështja e kthimit të personave të zhvendosur pas luftës në Kosovë në vitin 1999, është temë e bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të cilën kryeministi i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 7 shtatorit, janë pajtuar, por nuk i kanë bërë të ditura detajet.
Në bazë të të dhënave të UNHCR-së, të vititi 2016, besohet që të zhvendosur jashtë Kosovës janë rreth 107 mijë njerëz, prej të cilëve 88 mijë në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe mbi 600 persona në Maqedoninë e Veriut.
Liljana Periq nga Fushë Kosova, në afërsi të Prishtinës, që nga viti 1999, bashkë me familjen e saj jeton si person i zhvendosur në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo thekson që banesa e saj në Fushë Kosovë është e uzurpuar. Ajo shton që u është drejtuar gati se të gjitha institucioneve kompetente, për ta ndihmuar lidhur me zgjidhjen e çështjes së banimit. Por, siç thotë ajo, deri më tash askush nuk ka dashur t’i dëgjojë problemet e saj.
Periq, gjithashtu, tregon që përfaqësuesit e Komisariatit për refugjatë dhe migrim të Republikës së Serbsë, si dhe përfaqësuesit e organeve të përkohshme komunale të Prishtinës, që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë dhe që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen si institucione paralele, ditë më parë i kanë vizituar personat e zhvendosur në qendrën kolektive në Graçanicë. Kjo vizitë, sipas saj, ishte bërë për të regjistuar të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për njësi të banimit që po ndërtohen në kuadër të vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit” në Zveçan.
“Pyetën se kush dëshiron që të aplikojë për atje. Unë u paraqita. Pse të mos shkoja të jetoj atje? A e dini ju se në çfarë kushtesh jetojmë ne këtu”, tha Periq.
Si u ndërtua “Lugina e Diellit”?
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit për të kthyerit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë. Vlera e projektit është rreth 14 milionë euro.
Vendbanimi është duke u ndërtuar që nga viti 2016 dhe deri më tash janë ndërtuar mbi 250 njësi banesore, ndëkaq që janë duke pëfunduar punimet edhe për ndërtimin e çerdheve për fëmijë, kishës dhe objekteve përcjellëse.
Në bazë të informatave të qasshme në faqen e internetit të këtij vendbanimi, lokacioni më i gjerë përfshinë hapësirën prej 24 hektarëve të tokës, por për sipërfaqen prej 15 hektarësh është planifikuar ndërtimi i rreth 300 njësive të banimit, në të cilat do të vendosen rreth 1.500 perona të zhvendosur nga Kosova dhe të cilët kanë strehim apo qëndrim në Serbi, Mal të Zi dhe në shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Njësitë banesore në “Luginën e Diellit”, me të cilat menaxhon organi i përkohshëm i Komunës së Zveçanit, nuk shiten, por u jepen personave të zhvendosur, me qëllim të zgjidhjes së çështjes së banimit të personave me nevoja sociale dhe të zhvendosur nga Kosova.
Në këtë frymë, gjatë ritualit kishtar, shenjtërimit të gurthemelit për ndërtimin e tempullit në “Luginën e Diellit”, në fillim të qershorit, peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Teodosije, ka theksuar që vendbanimi po ndërtohet për ata serbë që dëshirojnë të mbesin për të jetuar në hapësirën e Kosovës, si dhe për ata “që kanë qenë të detyruar të ikin nga pjesë të ndryshme dhe nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre”.
Çfarë thonë institucionet e Kosovës?
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e Qeverisë së Kosovës, nën kompetenca të së cilës është edhe planifikimi hapësinor, thonë që punimet për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” po bëhen pa lejen e autoriteteve të Kosovës.
Kryeinspektori në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Ambientit, Bedri Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ministria ka kërkuar dokumente nga drejtoria për urbanizëm në Zveçan, por ajo për ditë të tëra nuk ka sjellë asnjë dokument. Pasi drejtoria apo komuna nuk u është përgjigjur kërkesave, procesi ka kaluar në gjykatë.
“Meqenëse kjo drejtori nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit me dokumentacionin për ndërtim, Inspektorati ndaj kësaj drejtorie ka bërë inicim në gjykatë”, tha Halimi.
Vend-punishtja ku do të ndërtohet “Lugina e diellit”
Ndonëse tashmë kanë kaluar dy vjet qysh kur gjykatës i është dorëzuar rasti. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Shefi i Zyrës për komunitete dhe kthim në Komunën e Zveçanit, e cila funksionon në kuadër të sistemit të Kosovës, Lulzim Peci, vlerëson që çështja e ndërtimit të vendbanimit “Lugina e Diellit”, tashmë ka kaluar në nivel qendror.
“Kjo është kompetencë e ministrisë. Ministria dhe qeveria janë të vetëdijshme për të gjitha. Pra, kjo çështje i ka tejkaluar kompetencat e nivelit lokal”, thotë Lulzim Peci.
Ai sqaron që këtë projekt janë duke e realizuar strukturat paralele serbe dhe se Zyra për komunitete dhe kthim nuk ka mundur të bëjë asgjë.
“Asgjë nuk është bërë përmes organeve të Republikës së Kosovës”, thekson ai.
Thirrjeve të Radios Evropa e Lirë nuk i janë përgjigjur as Vuçina Jankoviq, kryetar i Komunës së Zveçanit, dhe as Ivan Todosijeviq, kryetari i organit të përkohshëm të Zveçanit, institucion ky paralel serb.
Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë koment, pra, as nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe as nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, në krye të së cilës është Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe.
Ndërkaq, kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti, në fund të korrikut të këtij viti, ka deklaruar që nuk do të lejojë zbatimin e projekteve në veri, të cilat i financon Serbia dhe që janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Në një ngjarje të ditës në Prishtinë, ai kishte vlerësuar që në veri të Kosovës ka pasur mjaft aksione që nuk janë bërë në përputhje me ligjet e Kosovës.
“E di se kemi vështirësi për zbatimin e tërësishëm të ligjit në atë pjesë të vendit, por nga kjo kërkesë nuk do të heqim dorë kurrë dhe nuk do të lejojmë që situata të shkojë në atë drejtim”, pati theksuar Hoti.
Në kohën kur kishte nisur ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Zveçan, në vitin 2016, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, kishte theksuar se nuk do të lejohej ky ndërtim, sepse për të nuk ekziston leja. Por, punimet kanë vazhduar.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës, në krye të së cilës atëherë ishte Ferid Agani, kishte deklaruar që askush nuk i kishte informuar dhe konsultuar lidhur me ndërtimin e vendbanimit dhe se vendimi për ndërtimin e tij ishte i paligjshëm, për shkak se organet kompetente komunale nuk kanë dhënë lejen për ndërtim.
Më herët, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar që ndërtimi i vendbanimit për të kthyerit “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit, është përpjekje për “kolonizim” dhe ndryshim të strukturës etnike në veri të Kosovës.
“Serbia po vazhdon me projektet e kolonizimit, me të cilat ndryshohet struktura etnike në veri të Kosovës. Këto aksione të rrezikshme krijojnë tension, jostabilitet dhe përplasje etnike, BE-ja duhet që menjëherë të dënojë dhe bllokojë veprimet e tilla”, ka theksuar Hoxhaj.
Kush po e ndërton “Luginën e Diellit”?
Në Serbi, në mars të vitit 2016, tre muaj para fillimit të ndërtimit të vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit, është regjistruar kompania me emër “Lugina e Diellit D.O.O”, gjegjësisht Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar “Lugina e Diellit” në Graçanicë.
Sipas të dhënave që janë të regjistruara në Agjencinë e regjistrave të biznesit në Serbi, “Lugina e Diellit D.O.O” është në pronësi të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.
Si veprimtari e kompanisë, theksohet “Marrje me qira e pasurive të patundshme, vetanake ose me qira dhe menaxhimi me to”.
Drejtor i kompanisë është Slobodan Mihajloviq, i cili është drejtor edhe i projektit “Lugina e Diellit”, ndërkaq, kryetar i këshillit mbikqyrës është Teodosije Shibaliq ( peshkopi Teodosije), kurse n, anëtar të këshillit janë Alekasandar Radovanoviq, Borisllav Tajiq, Savo Shmigiq, Milosav Gvozdoviq.
Nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit kanë thënë për Radion Evropa e Lirë që lidhur me çështjet për pronësinë mbi kompaninë “Lugina e Diellit D.O.O” do të përgjigjet ekipi i tyre ligjor, por deri në kohën e publikimit të këtij teksti, përgjigja nuk ka ardhur.
Sipas Dokumentit të Marti Ahtisaarit për zgjdhjen e statusit pëfundimtar të Kosovës, të vitit 2007, në bazë të së cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është “pronar i vetëm i pronës së tij në Kosovë, me diskrecion ekskluziv për të menaxhuar pronën e saj dhe për t’iu qasur objekteve të saj”.
Serbët i mbesin besnik Beogradit, por marrin para edhe nga Prishtina
Profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, thotë se në rast se kisha ndërton objekte që janë në shërbim të kishës ose riteve fetare, ajo mund edhe të veprojë. Por, sipas tij, kisha nuk mund të ndërtojë lagje banimi.
“Kjo është abuzim se nuk është fjala për objekte të kultit, ndërsa ato ndërtesa nuk janë të tilla. Ato janë për interesa civile individuale, e në këtë rast grupore. Insistohet që të bëhet kolonizim, të ndërtohen koloni serbe aty-këtu nëpër Kosovë”, tha Smaka.
Kah mesi i vitit 2019, në bazë vendimin e Qeverisë së Serbisë, Komisioni për përzgjedhjen e përfituesve ka shpallur thirrje publike për shpërndarjen e një pjese të njësive të banimit në vendbanimin për të kthyerit “Lugina e Diellit”, të cilat janë të destinuara për personat e zhvendosur me nevoja sociale.
Megjithatë, këto shtëpi ende nuk janë futur në funksion për banim.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...