Luftëtarët që kthehen nga Siria nuk monitorohen

12:52 | 30 Maj 2017
arbresh.info

Monitorimi i luftëtarëve të huaj që vijnë nga konflikti në Siri, nuk është aq i zhvilluar në vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të mungesës së stafit, financave dhe arsye tjera.

Kështu vlerëson Daniel Milo, anëtar i lartë i kërkimeve në Institutin e Politikave GLOBSEC, në Sllovaki, në një intervistë për EËB, duke e vlerësuar si një prej sfidave kyçe të sigurisë numrin e madh të njerëzve në rajon, të cilët u bashkuan me konfliktin në Siri.

“Për më tepër, riintegrimi i atyre njerëzve dhe përpjekja për të punuar me njerëz, të cilët kaluan konflikte ushtarake dhe që ose vranë ose qenë dëshmitarë të krimeve të luftës është jashtëzakonisht e vështirë dhe kërkon kohë dhe do të kërkonte kapacitete të mëdha financiare dhe njerëzore.

Duke pasur parasysh të gjitha sfidat, këto vende sipas tij duhet të përballen me pyetjen, se a është vëmendja e mjaftueshme që i kushtohet kërcënimit të ngadaltë në rajon, transmeton arbresh.info.

Ai rekomanton të rriten aktivitetet e shërbimeve të sigurisë, policisë dhe sistemit gjyqësor duke u përpjekur për të parandaluar njerëzit që të udhëtojnë në këto vende, duke u dhënë ndalime udhëtimi individëve që shfaqin shenja të radikalizimit.

“Sapo këta njerëz të kthehen në vendet e tyre, këto vende do të ishin në të njëjtën situatë si Belgjika, Holanda ose Britania e Madhe, Franca, pa pasur rrjetën e sigurisë dhe të gjitha masat kundërshtuese që janë të pranishme në vendet e Evropës Perëndimore,” paralajmëron Milo, transmeton arbresh.info.

Si sfidë tjetër të sigurisë të Ballkanit Perëndimor ai e sheh edhe polarizimin në rritje të shoqërive dhe shkatërrimi I proceseve të pajtimit pas konfliktit në disa prej vendeve.

“Në disa prej këtyre vendeve, proceset e pajtimit, të cilat u nxitën shumë nga BE me mbështetjen e SHBA-ve, u ndaluan, ose në disa vende madje u anulua. Ajo që mund të vëzhgojmë është tërheqja e vijave etnike ose kombëtare brenda vendeve dhe përsëritja e retorikës së vjetër që kemi dëgjuar në vitet ’90, të cilat në fund të ditës çojnë në të gjitha gjakderdhjet dhe viktimat që kemi vërejtur në Ballkan gjatë viteve të nëntëdhjeta,” vlerëson  Milo.

Fusha kryesore e ekspertizës e Daniel Milo është ekstremizmi, kibernetika, rrjetet ndërkombëtare ekstremiste dhe përdorimi i propagandës nga aktorët e huaj. Ai botoi ose bashkëautoronte disa botime për këto çështje duke përfshirë raportin analitik që përcaktoi lidhjet mes Kremlinit dhe aktorëve politikë të ekstremit të djathtë në Sllovaki./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme