Google ADS

Luftëtarët e ISIS-it ikin në zonat e kontrolluara nga Assadi në Siri

23:25 | 6 Janar 2018
Trina Galanxhi

Luftëtarët e Shtetit Islamik po përpiqen të ikin në zonat siriane të kontrolluara nga presidenti Bashar al-Assad, ku ata duket se mund të veprojnë lirisht.

“Po shohim lëvizje të një numri të kufizuar të militantëve të ISIS-it drejt perëndimit”, tha gjeneral majori britanik, Felix Gedney, zëvendës komandant për strategji dhe mbështetje në koalicionin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit terrorist Shteti Islamik.

“Ata duket se po lëvizin të pandëshkuar nëpër territorin që mbahet nga regjimi”, tha zoti Gedney gjatë një takimi me gazetarë të mërkurën në Bagdad.

“Regjimi ose nuk ka vullnet, ose është i paaftë për ta mundur DAESH-in”, tha ai duke përdorur akronimin arab për grupin terrorist.

Koalicioni vlerëson se janë më pak se 1 mijë luftëtarë të ISIS-it në zonat e Sirisë dhe Irakut ku vepron koalicioni dhe partnerët e tij, shumë më pak sesa vlerësimet për rreth 3 mijë syresh sa ishin bërë tri javë me parë.

Sipas zyrtarëve të koalicionit “është e pamundur” të thuhet se sa luftëtarë të ISIS-it kanë arritur në ikin në zonat e kontrolluara nga regjimi në Siri, ndonëse partnerët e koalicionit po ndeshen me një numër të vogël të luftëtarëve që ikin në baza rutinore.

“Nuk mund t’ju them se asnjë nuk ka arritur të dalë nga rrethimi ynë, por do të them se nuk janë shumë syresh”, tha zoti Gedney.

Megjithatë, zyrtarët amerikan dhe ata të koalicionit janë të bindur se ISIS-i vazhdon të paraqesë kërcënim dhe do të provojë të nxisë kryengritje në Irak e Siri dhe se do të vazhdojë të komplotojë sulme kundër vendeve perëndimore.

Ata gjithashtu paralajmërojnë se ISIS-i ka dëshmuar vazhdimisht aftësinë për t’u përshtatur me rrethanat, duke thënë se ka shenja të shumta se grupi terrorist ka modifikuar me sukses modelin e tij veprues edhe gjatë vitit të kaluar.

Sipas tyre, shpallja e fitores mbi ISIS-in nga Siria dhe Rusia ishte e parakohshme.

“Regjimi sirian ka dështuar të veprojë për të parandaluar ripërtëritjen e ISIS-in në truallin e tij” tha gjenerali Gedney të mërkurën.

Sipas koalicionit, madje edhe në zonat ku forcat siriane kanë intensifikuar përpjekjet e tyre kundër ISIT-t, përparimi ishte, në rastin më të mirë, jetëshkurtër.

“Ne kemi parë qartë shumë operacione nga forcat pro regjimit, forcat siriane të mbështetura nga Rusia në lindje të lumit Eufrat”, tha Gedney. “Ne kemi dyshime ndaj efektivitetit të disa prej këtyre operacioneve.”

Nga ana e tyre, zyrtarët rusë janë përpjekur të fajësojnë Washingotnin, duke akuzuar forcat amerikane për stërvitjen e militantëve të Shtetit Islamik në bazën ushtarake në Tanf, afër vendkalimit kufitar strategjik me Irakun, në një përpjekje për të destabilizuar më tej Sirinë.

“Ata janë stërvitur atje”, i tha të mërkurën gazetës Komsomolskaya Pravda, gjenerali Valery Gerasimov, shef i shtatmadhorisë ruse.

Zyrtarët amerikanë kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla dhe thanë se Siria dhe Rusia duhet të bëjnë më shumë për të çrrënjosur ISIS-in nga zonat e kontrolluara nga regjimi.

“Ne nuk synojmë të veprojmë në zonat që mbahen aktualisht nga regjimi (i Assadit)”, tha gjenerali Gedney./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme