Disa muaj luftime vdekjeprurëse në mes të Izraelit dhe Hamasit i kanë rritur dilemat ndërmjet liderëve izraelitë dhe atyre palestinezë për të ardhmen, duke e testuar kredibilitetin e një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin.
Ndërmjetësuesit me dekada kanë insistuar se palestinezët dhe izraelitët mund të jetojnë afër njëri-tjetrit në dy shtete të ndara sovrane.
Mirëpo, lufta Izrael-Hamas, e nisur më 7 tetor 2023, i ka çuar diskutimet për zgjidhje potenciale afër një pike thyerjeje.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur javën e kaluar kundërshtimet për një sovranitet palestinez, duke i zemëruar aleatët e huaj, të cilët insistojnë në të drejtën e palestinezëve për shtetësi.
Koncepti për dy shtete ka lindur në vitet 1930, dhe është mbështetur prej migrantëve hebrenj, të cilët janë vendosur në atë që njihej si Palestinë e udhëhequr prej britanikëve.
Më 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një propozim për shtete të ndara hebreje dhe arabe, duke e hapur rrugën për krijim të Izraelit në vitin pasues.
Disa liderë palestinezë dhe arabë e kanë kundërshtuar shtetin hebre, në atë që e kanë konsideruar tokë arabe.
Plani i OKB-së për ndarje dhe krijim të Izraelit ka nxitur më pas luftën arabo-izraelite më 1948-1949.
Izraeli ka dalë më i fuqishëm pas konfliktit, duke marrë më shumë territor, ndërsa shteti palestinez është zhdukur ende pa lindur, dhe palestinezët janë përballur me zhvendosje masive.
Më 1964, Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) është formuar me qëllim të krijimit të një shteti palestinez mbi gjithë territorin e Palestinës së dikurshme.
Një luftë arabo-izraelite më 1967 ka përfunduar me Izraelin që ka marrë nën kontroll tokat palestineze, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe Qeveria pasuese izraelite i ka inkurajuar izraelitët që të ndërtojnë vendbanime në territoret palestinez./rel
Gjesti, ende i inatosur me Xhenetën, nis debat me të në dhom...
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...