Secila luftë krijon efekte negative dhe ndikimi i saj arrin edhe në Kosovë.
Por, si mund të ndikojë në Kosovë lufta që po zhvillohet në Izrael, publicisti Musa Sabedini thotë se mund të shkaktojë vonesa në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.
“Lufta në Izrael mund të shkaktojë vonesa në anëtarësim të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar sepse bota dhe superfuqitë e mëdha do të orientoheshin kryesisht në Lindjen e Mesme ku veç pritet një përshkallëzim edhe më i madh i luftimeve”, tha Sabedini.
Tutje thotë se mund të ketë ndikim në shumë forma, duke renditur disa shembuj se si.
“Lufta mes Izraelit dhe Palestinës mund të ndikojë edhe në Kosovë dhe atë në shumë mënyra dhe forma në publikun kosovar. E para, lufta atje do të ndikonte drejtpërdrejtë në uljen e dinamikës së bisedimeve me Serbinë, do të lihej anash problemi i Kosovës dhe ndihmat që mund të ofrojnë vendet e BE-së”, shprehet ai.
Sabedini shton se nëse po brengoset Ukraina se mund të lihet anash çështja e saj, ku po mbetemi ne, pra lufta atje ka dimensione të shumta ndikimi në kontekstin negativë në raport me Kosovën, duke shtuar se për kosovarët është më e mira lutja e tyre për paqe, sesa përkrahja në rrjetet sociale.
“Nëse po brengoset Ukraina se mund të lihet anash çështja e saj, ku po mbetemi ne, pra lufta atje ka dimensione të shumta ndikimi në kontekstin negativë në raport me Kosovën. Dhe e katërta, lufta atje po shkakton dhe realisht po krijon rryma e simpati të ndryshme pro et contra izraelitëve dhe palestinezëve. Për kosovarët më e mira do të ishte lutja e tyre për paqe të përhershme në Izrael e Palestinë, sesa përkrahja e tyre në rrjetet sociale”, shtoi ai.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku shpreson që të mos ketë ndikim të theksuar.
“Shpresoj se nuk do të ketë ndikim të theksuar. Kjo, nga se bashkëpunimi tregtar Kosovë – Izrael është akoma në stad fillestar, po zhvillohet në nivel të hulumtimit të potencialeve dhe është në zhvillim e sipër. Ndalimi i komunikacionit ajror, vështirësitë dhe pasiguria në komunikacionin / transportin detar janë evidente por shpresoj e besoj në alternativa”, tha ai për Arbresh.info
Sipas Kaçanikut afaristë izraelit për momentin janë të shpërqendruar, por që ata do ta bëjnë të duhurën që lufta të mos ndikojë te bashkëpunëtoret e tyre.
Sipas tij mund të ketë probleme me anulime, shtyrje të zhvillimit të garave e takime sportive, dhe kulturore, duke shtuar se shpreson që gjendja të kthehet në normalitet.
“Afaristët izraelitë gjithandej Botës janë të shpërqendruar. Si patriotë shembullorë ekonomik ata vëmendjen e kanë në atdheun e tyre. Por, besoj se, si afaristë të lindur që i njohim, ata do ta bëjnë të duhurën që lufta mos të reflektojë te bashkëpunëtorët e tyre afaristë, te tregjet…as te qytetari konsumator gjithandej Botës, edhe në Republikën e Kosovës. Po llogaris edhe në shkathtësitë e afaristëve vendës. Po vërehet se mund të ketë probleme, anulime, shterje të zhvillimit të garave e takimeve sportive, kulturore por shpresoj se edhe në këtë fushë së shpejti gjendja do të kthehet në binarë normal”, pohoi ai.
Siç edhe e dimë, lufta në Ukrainë ndikoi ekonomikisht edhe në Kosovë, Kaçaniku shprehet se, ngritja e çmimeve në vend nuk ka të ndalur prej pandemisë Covid-19.
“Ngritja e çmimeve nuk ka të ndalur që nga nisja e pandemisë COIVID 19. Ngritja e çmimeve “po i sulmon” edhe shtetet e zhvilluara. Te ne, në Republikën e Kosovës, ngritja e çmimeve është më e theksuar për arsye të standardit / mirëqenies sociale të ulët. “Shtresa” e qytetarit konsumator të varfër – tanimë ka falimentuar”, theksoi ai.
Njësoj si Sabedini mendon edhe njohësja e çështjeve të politikës, Afërdita Maliqi.
Ajo thotë se është normale që situata mes Izraelit dhe Palestinës mund të ketë ndikim edhe tek ne, duke përmendur aspektin politik dhe ekonomik.
Sipas saj sa i përket aspektit politik, tashmë përqendrimi i të gjitha shteteve të mëdha do të jetë atje.
“Është normale që situata mes Izraelit dhe Palestinës të ndikoje edhe te ne, sidomos në aspektin politik dhe ekonomik. Në aspektin politik tashmë përqendrimi i shteteve të mëdha do të jetë atje. Edhe vetë presidenti i Ukrainës, Zelensky, tha se edhe Ukrainës do t’i zbehet interesi. Por, kjo nuk do të thotë qe Kosova s’do të jetë në agjendë, për shkak të zhvillimeve të fundit në veri dhe procesin të bisedimeve”, tha ajo për Arbresh.info
Vlen të përmendet se të dielën e 15 tetorit ishe e paraparë të zhvillohej ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, por u shty zyrtarisht nga UEFA.
Kujtojmë se më 7 tetor Ushtria e Izraelit tha se po godiste caqe të Hamasit në Gaza pas një
breshërie intensive të sulmeve me raketa në orët e para të mëngjesit, që kishin për shënjestër caqe në jug të Izraelit.
Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se mbi 1000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 5000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ajrore hakmarrëse të Izraelit të shtunën./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Policia parandalon një rast të kontrabandimit me mallra në L...
Policia shqiptoi 1 mijë e 510 gjoba brenda 24 orëve
112 vite diplomaci shqiptare, Hasani: Forcojmë pozicionin e ...
I akuzuar për pastrim parash, arrestohet 31 vjeçari në Elbas...
Kupa e Kosovës vazhdon edhe sot me 15 ndeshje tjera
Dy persona lëndohen në një aksident mes dy veturave në Suhar...