Qytetarët e Kosovës nuk e kanë asnjë arsye që t’i marrin seriozisht rezolutat të cilat miratohen në Kuvendin e Kosovës, për faktin se deri më tash asnjë nga rezolutat e miratuara nuk është zbatuar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike ne vend.
Rezolutat janë shprehje e vullnetit politik të Kuvendit për çështje të caktuara, por të cilat nuk kanë karakter obligues.
Së fundmi, është ofruar një draft-rezolutë e hartuar nga liderët e partive të koalicionit qeverisës në lidhje me platformën për dialogun me Beogradin.
Rezoluta e parë ishte propozuar nga Partia Socialdemokrate, e cila kërkoi që Kuvendi i Kosovës të marrë rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë, duke ia kontestuar rolin aktual presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rezoluta e dytë ishte propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës janë kundërshtuar angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta e tretë ishte propozuar nga liderët politikë të Luginës së Preshevës, për bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën.
Arton Demhasaj, drejtor i organizatës “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezolutat propozuara kohët e fundit kanë emëruesin e përbashkët, dialogun Kosovë- Serbi, por me qasje krejtësisht të ndryshme nga partitë në pushtet dhe ato në opozitë.
“Në rast se vërtetë këto parti politike tentojnë ta ndikojnë disi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata duhet ta kenë të qartë se kjo nuk mund të ndikohet përmes rezolutave. Mund të ndikohet në të gjitha mënyrat tjera, por asnjëherë përmes rezolutës, duke marrë parasysh rezolutat e kaluara që nuk janë zbatuar asnjëherë. Kështu që kjo është tregues se të gjitha këto iniciativa të këtyre rezolutave janë vetëm për qëllime politike, madje edhe partiake, se sa që kanë një qëllim të vërtetë për ta ndikuar një proces që është duke u zhvilluar”, tha Demhasaj.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e lirë, vlerëson se partitë politike janë bërë të parashikueshme lidhur me veprimet politike. Sipas tij, ato kërkojnë që ta largojnë përgjegjësinë nga vendimmarrja efektive dhe konkrete, duke zhvendosur vëmendjen në një nivel burokratik dhe abstrakt.
“Në fakt, kështu po ndodh edhe tash me ‘luftën e rezolutave’, sepse përderisa nuk ka asnjë tentim që të përafrohen pozitat e skajshme ndërmjet pushtetit dhe opozitës, të dyja palët synojnë që përmes propozimit të rezolutave, ta krijojnë një imazh artificial, kinse janë duke e kërkuar zgjidhjen. Kjo nuk është e vërtetë, sepse në realitet, këto rezoluta janë zgjatime të politikave të tyre të deritashme dhe nuk kontribuojnë në zvogëlimin e hendekut dhe në kërkimin e përafrimit të pozicioneve, që është çështja kryesore”, theksoi Muhaxhiri.
Njohësit e çështjeve politike shprehin mendimin që edhe në rast se miratohet ndonjë rezolutë për dialogun, pavarësisht se nga kush do të propozohej, zbatimi i saj është vështirë i besueshëm.
Vetëm në legjislaturën e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 11 rezoluta për çështje të ndryshme, ndërkaq, në legjislaturën e tanishme, të gjashtën deri më tani, janë miratuar 13 rezoluta.
Demhasaj thotë se ato nuk janë zbatuar dhe merr shembuj disa prej tyre. Sipas tij, rezoluta për dialogun me Serbinë, e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilës parashihet raportimi i Qeverisë për zhvillimet në këtë proces, nuk është zbatuar. Po ashtu, sipas tij, nuk janë zbatuar as rezolutat për të cilat ka pasur pajtim ndërmjet pushtetit dhe opozitës, sikurse ajo për heqjen e tarifave të roaming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ajo për heqjen e tërësishme të kontrollit në kufirin Kosovë- Shqipëri.
“Përfundimisht mund të themi që në Kosovë nuk kemi ndonjë precedent që të mund të themi se një rezolutë, e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës ka hasur në zbatim dhe që ta përdorim atë precedent edhe për rezolutat tjera. Thjeshtë deri më tash është treguar se rezolutat janë bërë sa për sy e faqe ose për të shpreh pakënaqësi, ndonjë shenjë të caktuar të vullnetit politik për një çështje të caktuar, por që asnjëherë nuk janë zbatuar. Madje nuk është marrë as guximi më i vogël që këto rezoluta të vendosen në zbatim”, tha Demhasaj.
Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Muhaxhiri. Ai thotë se deri më tash rezolutat asnjëherë nuk janë zbatuar, të paktën si shprehje e kulturës politike dhe demokratike, pavarësisht që nuk kanë karakter obligues.
“Në rastin e Kosovës, për fat të keq, rezolutat shërbejnë si vazhdimësi e betejave meskine politike dhe nuk respektohet qëllimi i tyre, i cili do të duhej të ishte konstruktiv dhe jo destruktiv”, theksoi Muhaxhiri.
Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se në vendet e zhvilluara, pavarësisht se rezolutat nuk kanë karakter obligues, institucionet përkatëse nuk veprojnë në kundërshtim me vullnetin politik që është formësuar në to. Ndërkaq, sipas tyre, në vendet ku demokracia është në zhvillim, sikurse në Kosovë, rezolutat mbesin të pazbatuara, për shkak se vullneti politik i shprehur në ato rezoluta, të shumtën e rasteve, bie ndesh me veprimet e institucioneve qeveritare.
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...
Ismaili: Sektori financiar në Kosovë stabil dhe mirë i kapit...
“E lirë je prej meje”, a po ftohen raportet mes Gjestit dhe ...
Deponim dhe kundërmim, kriza me mbeturina në shtetet e Ballk...
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë