Ditë më parë gazeta gjermane “Frankfurter Rundshau” ka raportuar për një marrëveshje që parasheh ridefinimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas gazetës Mitrovica të marrë një status të veçantë, kurse liqeni i Ujmanit dhe Trepça të privatizohen për 99 vite.
Njohësit e rrethanave politike në vend thonë se këto pohime të gazetës gjermane janë në sferën e spekulimeve me qëllim të krijimit të opinionit. Ata konsiderojnë që marrëveshja finale Kosove – Serbi është me interes të përgjithshëm, por që Serbia nuk ka vullnet për njohje të shtetit të Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, vlerëson nëse janë të vërteta këto që po qarkullojnë në media, do të ishte marrëveshje e keqe për Kosovën, sepse Kosova humb territor kurse Serbia fiton territor.
“Ekziston mundësia që negociatat janë zhvilluar me mënyrë sekrete, dhe me aminin e BE-së dhe SHBA-së është arritur një pajtueshmëri që kjo është zgjidhja ideale. Nëse është e vërtetë kjo çfarë po qarkullon tash e sa kohë nëpër media, atëherë do te ishte marrëveshje e keqe për Kosovën. Pse po e them do të ishte marrëveshje e keqe për Kosovën? Sepse siç e kam parë të plotë dokumentin Kosova edhe humb territor, kurse Serbia fiton territor me ketë marrëveshje. Nëse Trepça dhe Ujmani ngelen në territorin e Kosovës, Presheva, Bujanoci dhe Medevegja kalojnë këndej në Kosovë, dhe Leposaviqi, Zvecani dhe Zubin Potoku i kalojnë në Serbi, atëherë s’do të dilnim të humbur në territor”, tha ai.
Tutje Krasniqi tha se partitë tona politike duhet të kenë kujdes, pasi që kjo marrëveshje na dëmton.
“Por në atë dokument shkruan që kishat ortodokse serbe të marrin ekstra-territorialitet, një gjë e tillë nuk do të guxohej të pranohej, sepse Serbia do e shantazhonte gjithmonë shtetin e Kosovës përmes këtyre kishave që do ishin shtet brenda shtetit. Mua personalisht kjo marrëveshje në ketë mënyrë nuk më pëlqen fare, dhe ashtu siç e ceka do të ishte marrëveshje e mirë dhe e pranuar edhe për qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, partitë tona politike duhet të kenë kujdes se çfarë po bëjnë, sepse kjo marrëveshje përveç që na dëmton, Serbinë e mban akoma brenda Kosovës”, tha Krasniqi.
Edhe Analisti politik Fatmir Sheholli, deklaron se faktori ndërkombëtar duhet të rrit presion ndaj Serbisë që ta heq Kosovën nga Kushtetuta e saj, dhe ta pranoj shtetin e Kosovës.
“Rreth marrëveshjes finale të Kosovës me Serbinë askush ende nuk ka parë dokument të nënshkruar. Unë besoj që edhe këto pohime të gazetës gjermane janë në sferën e spekulimeve me qëllim të krijimit të opinionit. Konsideroj që marrëveshja finale Kosovë – Serbi është me interes të përgjithshëm, por në skenën politike në Serbi nuk ka vullnet për njohje të shtetit të Kosovës. Është e nevojshme që faktori ndërkombëtare të rrit presionin ndaj Serbisë me qellim qe Serbia së pari të heq nga Kushtetuta e saj Kosovën dhe pastaj të pranojë shtetin e Kosovës. Ndërsa, për çështje tjera mund të vazhdohet me dialog me qellim të arritjes së fqinjësisë së mirë dhe paqes së përhershme”, thotë Sheholli.
Gjithashtu analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se kjo është në kundërshtim të plotë me interesat shqiptare dhe nuk e garanton asnjë paqe të qëndrueshme.
“Që kjo marrëveshje është në tavolinën e bisedimeve, kjo tashmë është e çartë. Por, se a është kjo një marrëveshje e cila së pari u konvenon shqiptarëve dhe së dyti që sjellë paqen te përhershme, është krejtësisht pyetje tjetër. Për mendimin tim, një marrëveshje e tillë është në kundërshtim të plotë me interesat shqiptare dhe nuk e garanton asnjë paqe të qëndrueshme. Sipas kësaj Serbia e arrin qëllimin t’i futë kthetrat në territor të Kosovës. Një marrëveshje e tillë eliminon Kushtetutën e 74-tës ku Kosova kishte kufijtë e sajë. Pos kësaj, kemi vendimin e GJND-së që është organ i OKB-së dhe e legjitimon pavarësinë e Kosovës, me një marrëveshje të tillë ky vendim bie poshtë dhe Serbia e ka veç hapin e parë për ta çuar me pastaj Kosovën deri në dështim të plotë”, thotë ai.
Duhanaj mendon se këtë që po e bënë presidenti Thaçi është lojë me zjarr e do na kushtojë shumë.
“Çfarë kuptimi ka p.sh; privatizimi i Ujimanit dhe Trepçës? Si ka guxim Presidenti Thaçi t’i vendosë ne tavolinë negociatash këto asete vitale? Nëse janë dhe mbeten të Kosovës, pse duhet Serbia të jetë pjesë e privatizimit të tyre? Kujt i mbeten pas 100 vjetësh dhe mbi të gjitha kush i privatizon ato? Kjo çfarë po bën Hashim Thaçi, është lojë me zjarr e cila do na kushtoj shumë shumë. Por, fajtor nuk është vetëm ai. Fajtorë janë edhe të tjerët që bëjnë kinse po e kundërshtojnë por nuk e bëjnë asnjë hap në atë drejtim. Trojet shqiptare janë shitur çdoherë në këtë formw dhe kjo nuk do t ‘ishte hera e parë e po kam frikë as e fundit”, përfundoi ai.
Ndryshe, Gazeta gjermane, “Frankfurter Rundshau” ditë më parë ka raportuar për një marrëveshje nga një burim intern, lidhur me një dokument 17 pikësh në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas te cilit është arritur një marrëveshje që e parasheh ridefinimin e kufirit në mes këtyre dy shteteve. Sipas gazetës ky plan parasheh, ndër të tjera, që Mitrovica të marrë një status të veçantë, kurse liqeni i Ujmanit dhe Trepça të privatizohen për 99 vite. Gjithashtu sipas raportimit të kësaj gazete plani në fjalë parasheh që marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës të nënshkruhet me 12 Qershor 2019 në Ëashington dhe pas gjashtë muajve të hyjë në fuqi./A.Zeka/arbresh.info/
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...