Logopedi s’u dënua për keqtrajtimin e 3-vjeçares me autizëm, ANAK: Goditje e rëndë për sigurinë e fëmijëve

17:11 | 19 Nëntor 2024
R J

Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ku logopedi Iljasa Fazliu u shpall i pafajshëm pasi akuzohej se ka trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore një 3-vjeçare me autizëm, në vitin 2022.

ANAK thotë se ky vendim përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë.

“Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm”, shkruan në reagim.

“Në një pjesë të raportit thuhet se “fëmijët nën moshën 5-vjeçare kanë vështirësi në të kuptuarit e se edhe njerëzit tjerë posedojnë mendime, ndjenja, qëllime të cilat mund të dallojnë nga ato të tyre personale, e posaçërisht fëmijët autistikë këto vështirësi i kanë shumë më të shprehura, që pamundëson të parashikojnë apo kuptojnë veprimet e personave të tjerë.” Ky pohim lë të kuptohet se dhuna verbale e ushtruar ndaj vajzës arsyetohet në njëfarë mënyre, pasi, sipas këtij komisioni, fëmijët me autizëm nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë. Kësisoj ky vendim ka normalizuar dhunën ndaj vajzës si dhe në përgjithësi dhunën ndaj fëmijëve me autizëm apo me nevoja të tjera të veçanta”.

ANAK tha se fëmijët me autizëm janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj zërave të lartë dhe ndaj situatave stresuese që mund të mbeten të fiksuara në kujtesën e tyre, duke ndikuar negativisht në vetëvlerësimin, sigurinë dhe përparimin e tyre afatgjatë.

Në komunikatë mes tjerash theksohet se ekspertizën e marrë parasysh nga gjykata, e kundërshtoi edhe prokuroria, raporton Klankosova.tv.

“Edhe prokuroria ka kundërshtuar këtë ekspertizë, duke argumentuar se është hartuar nga ekspertë joadekuatë. Në aktakuzë është përmendur edhe deklarata problematike e kryetares së komisionit, e cila ka thënë se komisioni nuk ka llogaritur zërin e fëmijës si britmë. Kështu, prokuroria ka theksuar se raporti nuk i përmbush standardet e nevojshme për të qenë i besueshëm”.

ANAK tha gjithashtu se pas përjetimit të këtij incidenti, fëmija ka marrë mbështetje intensive terapeutike te ta, ku është punuar për të rikuperuar besimin e saj dhe për të nxitur zhvillimin e saj të përgjithshëm

“Vlen të theksohet se vajza në fjalë, pas përjetimit të këtij incidenti, ka marrë mbështetje intensive terapeutike në ANAK, ku është punuar për të rikuperuar besimin e saj dhe për të nxitur zhvillimin e saj të përgjithshëm. Është e papranueshme që logopedi Iljasa Fazliu edhe sot vazhdon të shërbejë si logoped në QKUK. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të rishikojnë këtë rast me urgjencë, duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent”.

Të ngjashme