Thirrjes për vazhdimin e seancës konstituive për të enjten, nga kryesuesi i saj, Adem Mikullovci, i është përgjigjur pozitivisht Lista Serbe.
Deputeti, njëherësh edhe zëdhënës i saj, Igor Simiq, ka konfirmuar për Radio Kosovën pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës. Ai ka thënë se deputetët serbë do të jenë në Kuvend nëse krijohen kushte për vazhdimin e konstituimit.
I pyetur se a do ta votojë Lista Serbe kandidatin për kryetar të Kuvendit, Simiq ka theksuar se deputetët serbë do ta votojnë cilindo kandidat për kryeparlamentar që propozohet nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.
“Deputetët serbë do të jenë të pranishëm në Kuvend. Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk dëshirojmë të jemi fre në formimin e institucioneve, sepse dëshirojmë që sa me shpejt të fillojë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohet qytetarët. Ajo që mund të them është se, ne nuk mundemi të zgjedhim se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët dhe këtë nuk dëshirojmë ta bëjmë. Por, gjithashtu ne po japim hapësirë që partitë shqiptare të merren vesh dhe ta propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Lista Serbe do ta votojë cilindo kandidat të PAN-it, meqenëse vetëm ky koalicion ka të drejtë kandidimi të kryetarit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
E për sa i përket votimit të Qeverisë, apo hyrjes në koalicion qeverisës, Lista Serbe përmes një deklarate ka bërë të ditur se ende nuk kanë marrë vendim për votim, pro ose kundër, të cilitdo kandidat që mandatohet për formimin e qeverisë.
Gjithashtu kanë thënë se tani për tani, nuk kanë asnjë qëndrim edhe për hyrje në koalicion qeverisës me asnjë nga subjektet politike shqiptare.
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...