Google ADS

Lista Serbe vazhdon ta mbajë peng Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë

20:44 | 18 Mars 2019
Arbresh.info

Shkaku i Listës Serbe, sërish mund të mos votohet Ligji për Arsimin e Lartë, të cilin, para një muaji, Komisioni për Arsim e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për lexim të parë.

Lista Serbe po vazhdon ta bojkotojë Kuvendin e Kosovës, që prej vënies së taksës për produktet serbe, votat e të cilëve janë të domosdoshme për miratimin e këtij ligji, raporton KTV.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismail Kurteshi, ka thënë se krejt kjo është një çoroditje e deputetëve serbë, pasi po lë peng edhe shumë ligje të tjera.

Kurteshi thotë se halli i deputetëve serbë është se nuk dëshirojnë t’ia lënë Universitetin e Mitrovicës së Veriut nën menaxhim institucioneve të Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ligji i ri, nga i cili varet kualiteti i institucioneve të arsimit të lartë, në sektorin publik e privat, ka shumë ndryshime.

Ai thotë se nuk do të heqin dorë nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, sepse është e paarsyeshme që një institucion brenda Kosovës, të vazhdojë të punojë me plan-program të Serbisë.

Ligji për Arsimin hyn në mesin e ligjeve me interes vital.

Për miratimin e kësaj kategorie të ligjeve, nevojiten votat e 2/3 të deputetëve, përfshirë edhe komunitetet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme