Lista Serbe tash e disa muaj ka marr vendim se do i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi të taksës 100% që Qeveria e Kosovës i ka vënë Serbisë.
E ky vendim i tyre duket se ka shkaktuar tollovi në Kuvendin e Kosovës.
Një gjë të tillë e pohon edhe Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën edhe monitorimin e punës së legjislativit.
Sipas tij, ata kanë krijuar situatë të re në Kuvend dhe se me bojkotin e tyre e kanë pamundësuar shumicën parlamentare.
Murati gjithashtu ka kritikuar edhe Rregulloren e Kuvendit e cila nuk po i dënon deputetët të cilët po e shpërfillin këtë institucion.
“Lista serbe faktikisht e ka krijuar një situatë të re në Kuvendin e Kosovës, mospjesëmarrja e tyre e ka detyruar koalicionin Qeverisës të qojnë përpara komplet agjendën e tyre, të cilat është dashtë me u trajtua në Kuvend. Bojkoti i tyre ka pamundësua shumicën parlamentare, sidomos kohën e fundit me afrimin e PSD me disa çështje. Lista Serbe është bërë jo relevante, kjo para se mu nda VV edhe me u afrua PSD me koalicionin qeverisës. Gjithsesi deputetët e Listës duhet të jenë të vetëdijshëm nuk duhet ta shpërfillin mandatin e tyre, kjo nuk është hera e parë që ka ndodh. Kjo ka ndodh edhe në legjislaturën e kaluar, edhe Rregullorja e Kuvendit ka zbrazëti, e cila nuk po dënon deputetët të cilët e shpërfillin Kuvendin” tha Murati
Ndërsa analistët kosovarë e kanë cilësuar si fatkeqësi rëndësinë e prezencës së Listës Serbe në Kosovë, pasi siç thonë ata ajo dirigjohet nga politikat e Serbisë, përkatësisht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Se rëndësia më e madhe e Listës Serbe i është dhënë nga koalicioni PAN, e thotë analisti, Faton Avdullahu. Ai në një prononcim për arbresh.info tha se në qeverisjen e këtij koalicioni, Lista Serbe do ta ketë më të lehtë të bojkotojë shumë çështje dhe të shkaktojë parregullsi.
“Koalicioni aktual PAN ka mundur ta konstituojë qeverinë Haradinaj vetëm me ndihmën konkrete përkatësisht me votën e Listës Serbe. Ky koalicion e ka ditur se më pas do të ketë shumë probleme me këtë Listë, por grykësia për të ardhë në pushtet ka qenë më e madhe se sa mbrojtja e Kosovës nga dëmet që do t’i shkaktoj kjo parti. Asnjëherë më parë nuk i është dhënë më shumë mundësi e hapësirë përfaqësuesve serbë, përkatësisht Listës Serbe se sa me Koalicionin PAN. Listës Serbe i konvenon ky koalicion sepse ajo ka ekstra mundësi për të ndikuar në shumë procese në vend. Ajo nuk do të votojë kundër këtij koalicioni, por ajo do të deformojë dhe ndalojë shumë procese me refuzimet dhe bojkotimet e saj të cilat gjithnjë janë të ndikuara drejtpërsëdrejti nga Beogradi zyrtarë. S’do mend se të gjitha këto forma ndikimi, janë të pranishme edhe në Kuvend i cili lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Avdullahu
E sipas analistit, Leon Duhanaj, nuk do të kishim nevojë për përfaqësuesit e Listës Serbe, nëse politika kosovare do ta ndjektë një proces normal të rrjedhës në Kuvend.
Sipas tij politikanët shqiptarë nuk gjejnë gjuhë të përbashkët mes vete dhe pastaj bëjnë qeveri të varur nga votat e Listës Serbe.
“Nëse do të kishim parti normale politike dhe, nëse do ta ndjekin një proces normal të rrjedhës në Kuvend, atëherë Lista Serbe as që do të vërehej, përjashtimisht në raste të veçanta kur kërkohet prezenca e tyre. Subjektet politike shqiptare, nuk po tregojnë përgjegjshmëri karshi obligimeve të tyre ligjore dhe kushtetuese. Ata po ndjekin politika inatesh. Së pari në lidhjen e koalicioneve qeveritare shqiptarët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, se këndejmi bëjnë qeveri të varur nga votat e Listës Serbe e cila është dorë e zgjatur e qeverisë së Serbisë. Më pastaj partitë opozitare, edhe kur ka çështje me rendësi jetike, nuk bëhen pragmatike të votojnë por pengojnë proceset. Në anën tjetër edhe subjektet në pozitë kalkulojnë çdo dit me qëllime elektorale duke shkuar aq larg sa që nganjëherë e pengojnë edhe vetë arritjen e kuorumit në Kuvend”.
Analisti Faik Krasniqi, thotë se pesha e tyre nuk është aq e madhe, por ajo çka i bënë ata më të rëndësishëm është fakti kur votat për krijimin e Qeverisë së Kosovës varen nga ta.
“Serbët në Kosovë janë në përqindje të vogël. Edhe pesha e tyre nuk është aq e madhe. Por, me pakon e Ahtisarit kjo pakice është bërë faktor në skenën politike në Kosovë. Vende të rezervuara, pastaj vende të garantuara e shumë privilegje të tjera. Me këtë pako serbët gëzojnë të drejta që nuk i gëzon asnjë minoritet në botë. Në shumë raste gëzojnë më shumë të drejta se shumica shqiptare. Kur partitë shqiptare nuk bëhen të varura nga Lista serbe, kjo listë nuk ka asnjë peshë në Kuvend. Fatkeqësia më e madhe e partive tona politike, është kur Qeverinë e krijojnë me votat e tyre, si qeveria Haradinaj. Shpresoj që në të ardhmen ndikimi i kësaj liste do jetë akoma më i vogël, marrë parasysh që nuk kanë më vende të rezervuara, por as të garantuara në Kuvend. Të varesh prej votave të tyre i bie të varesh nga Beogradi, sepse kjo listë është krijuar nga Vuçiq dhe direktivat i marrin nga ai”, tha Krasniqi për arbresh.info.
Nga ana tjetër, analisti Muhamet Kelmendi thotë se puna e Listës Serbe në Kosovë është gjithçka përveç se në interes të këtij shteti.
“Lista Serbe është formuar nga Vuçiq dhe Thaçi, dhe në tërësi i ka shërbyer Qeverisë Serbe. Ajo si e tillë nuk ka raportuar para organeve të Kosovës, por para organeve të shtetit serb, dhe ka bërë punë në drejtim të copëtimit të Kosovës. Si në organet komunale, ku është kjo listë në pushtet, ashtu edhe në nivelin qendror, në Qeveri dhe në Kuvend ka luajtur rol negativ. Deputetët serbë votuan kundër Trepçës dhe ligjeve me të cilat Trepça caktohet si objekt i rëndësishëm i Kosovës. Ata dolën me idenë se Trepça është e Serbisë . Lista Serbe votoi edhe kundër energjisë së Kosovës madje qeveria e paguan tërë energjinë elektrike për ta . Lista Serbe luftojë edhe kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës në Kuvend”, deklaroi Kelmendi për arbresh.info.
Madje ai ka përmendur edhe idenë e kësaj partie për t’iu bashkuar LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Sipas Kelmendit kjo është tërësisht e dirigjuar nga presidenti Vuçiq.
“Tash ka dalë me idenë që të votojë së bashku me LDK-në për rrëzimin e Qeverisë së Haradinaj-t për taksën 100%. Ata kanë deklaruar se do të votojnë pro LDK-së për rrëzimin e kësaj Qeverie. Lista Serbe është listë armiqësore dhe tërësisht punon në interesin e Serbisë. Aktualisht ka dalë edhe për ndarjen e copëtimin e Kosovës. I takon prokurorisë së Kosovës të merret me Listën Serbe dhe të ja ndalojë punën këtij subjekti, pasi që kanë kryer vepra penale kundra sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Dënimet janë shumë të rënda dhe shkojnë deri në dënim me burg të përjetshëm”, tha Kelmendi për arbresh.info.
Siç u potencua edhe nga KDI, kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe bojkoton Kuvendin.
Ndryshe Kuvendin më parë e kanë bojkotuar edhe disa nga partitë opozitare të cilat tani janë në pozitë si AAK dhe NISMA./E.Haxhiu/arbresh.info/
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...